E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Reforma territoriale bazohet në tre indekse kryesore

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku prezantoi sot në detaje metodologjinë mbi të cilën është hartuar drafti i Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës territoriale, duke theksuar se propozimet mbështeten në analiza të detajuara statistikore dhe ekonomike.

Sipas Maznikut, vlerësimi i çdo bashkie është bërë mbi bazën e tre indekseve kryesore: funksionalitetit të bashkisë, masës urbane (demografisë) dhe performancës ekonomike të territorit.

Ai shpjegoi se indeksi i funksionalitetit mat autonominë fiskale, ngurtësinë buxhetore, efiçencën e stafit dhe nivelin e detyrimeve të prapambetura. Si shembull, Mazniku përmendi se Tirana siguron 67% të të ardhurave nga burimet e veta, ndërsa bashki si Këlcyra dhe Fushë-Arrëzi kanë nivele shumë më të ulëta të autonomisë fiskale. Po ashtu, ai solli në vëmendje rastin e Kavajës, ku 92% e buxhetit është i angazhuar për shpenzime fikse, duke lënë pak hapësirë për politika zhvillimore.

Sipas tij, këta tregues krijojnë një panoramë të qartë mbi aftësinë funksionale të bashkive, ku në krye renditen bashki si Tirana, Kamza dhe Himara.

“Kemi vlerësuar tre indekse të ndryshme të cilët secili prej tyre përbëhet nga një seri treguesish. I pari është indeksi i funksionalitetit të bashkisë, i cili mat elementë që kanë të bëjnë me autonominë fiskale, që është raporti midis të ardhurave që një bashki gjeneron vetë dhe të ardhurave që bashkia merr nga qeveria qendrore; ngurtësinë buxhetore, që do të thotë ç‘pjesë e parave bashkia i ka të zëna në paga apo operacione fikse dhe ç’pjesë të buxhetit një bashki ka mundësi të bëjë punë të mirëfilltë nëpërmjet vendimeve që këshilli bashkiak merr. Po flasim për autonominë fiskale, kemi bashki si Tirana, po e marr si shembull, e cila 67% të të ardhurave i ka nga të vetat dhe pjesën tjetër i ka nga granti; apo Elbasani që e ka këtë në nivelin 23, apo kemi bashki si Kavaja e cila ka vetëm 24, apo bashki si Fushë-Arrëzi i cili ka 14, apo bashki si Këlcyra, po e marr si shembull, e cila ka vetëm 8% e ka këtë raport.

Elementi i dytë lidhet me ngurtësinë buxhetore: ç’pjesë të buxhetit një bashki e ka të zënë dhe ç’pjesë e ka të lirë për të bërë politika. Këtu fjalë që bie po marr rastin e Lezhës, e cila ka 42% të buxhetit të zënë dhe pjesën tjetër e ka të lirë për të bërë politika për territorin e saj, apo bashki si Kavaja, e cila ka 92% të buxhetit të zënë dhe vetëm këtë pjesën tjetër e ka të lirë. Kjo na jep një tregues të mënyrës se si funksionon ky tregues në të gjithë Shqipërinë.

Elementi i tretë është eficienca e stafit. Do të thotë sa punonjës ka një bashki për çdo 1 000 banorë që ka në territorin e saj. Elementi i tjetër lidhet me detyrimet e prapambetura, ku kemi bashki si Korça, e cila i ka pothuajse zero, apo bashki si Kavaja, e cila i ka detyrimet e prapambetura pothuajse 25% të buxhetit të saj. Dhe të gjitha këto së bashku na krijojnë një tregues që quhet treguesi i funksionalitetit të bashkisë dhe na jep një koncept të mënyrës se si bashkitë nga kjo anë janë të renditura, nga ato që funksionojnë nga kjo anë goxha mirë, Kamza, Tirana, Himara e me radhë dhe bashkitë që funksionojnë pak më mirë”, tha ai.

Mazniku u ndal edhe tek indeksi i masës urbane, i cili përfshin nivelin e urbanizimit, dendësinë e popullsisë, numrin e banorëve, shpërndarjen e tyre në territor dhe raportin e varësisë sipas grupmoshave.

Ai tha se Kamza ka një normë urbanizimi prej rreth 99%, ndërsa bashki si Maliqi mbeten kryesisht rurale, me vetëm 26% të popullsisë që jeton në zonat urbane. Sipas tij, këta tregues ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin e shërbimeve publike, infrastrukturës, rrjetit rrugor, shkollave, kopshteve dhe shërbimeve të tjera.

“Elementi i dytë është elementi që merret me masën urbane ose me demografinë e një bashkie. Këtu sërish kemi pesë tregues të përbërë. I pari prej këtyre treguesve është treguesi i popullsisë, i cili na thotë që ç’pjesë e një bashkie jeton në një zonë urbane përkundrejt pjesës së një bashkie që jeton në zonë rurale. Kamza e ka normën e urbanizimit pothuajse 99%, është e gjitha një zonë urbane, dhe pothuajse të gjithë njerëzit jetojnë në këtë zonë urbane. Ndërkohë që po të shkojmë në zonën e Maliqit, do të shohim që këtu norma e urbanizimit është 26%, që do të thotë 75% janë në zonë rurale dhe 26% janë në zonë urbane. Dhe kemi dhe zona të tjera të cilat kjo ky numër është edhe më i vogël, pothuajse afër zeros, të cilat janë zona tërësisht të tërësisht rurale në bashkitë ekzistuese siç janë sot.

Treguesi i dytë na tregon dendësinë e perceptuar. Dendësia e perceptuar tregon jo thjesht sa është dendësia matematike, numri total i popullsisë pjesëtuar për sipërfaqen, por na tregon si e perceptojnë njerësit atë dendësi.  Elementi i tretë është totali i popullsisë. Numri i banorëve është i rëndësishëm për të kuptuar se si brenda këtij kapaciteti sa njerëz kanë aftësi specifike për të bërë detyrat funksionale, publike, por dhe private që një komunitet ka nevojë të ketë në territorin e tyre.

Elementi tjetër ka të bëjë me, atë që quhet indeksi Gini i shpërndarjes, që do të thotë sa të shpërndarë janë në popullsi banorët. Janë më të dendur, jetojnë në një zonë më të dendur apo janë të shpërndarë në territor. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm sepse na jep mundësi të shohim si shkojnë shërbimet te njerëzit. Pra, kemi nevojë të shtrojmë më shumë rrugë, më shumë kanale kulluese-vaditëse, më shumë kanale ujërave të bardha, shpërndarja e shkollave, shpërndarja e çerdheve apo kopshteve. Elementi tjetër është raporti i varësisë, i cili na tregon ç’pjesë e popullsisë së një bashkie është midis moshës 0 deri 14 dhe midis moshës 65 e sipër, dhe ç’pjesë është në moshën 15-65 që quhet, sipas INSTAT-it dhe Bashkimit Evropian, fuqia e aftë për punë. Të gjitha këto të dhëna bashkë na tregojnë atë që quhet indeksi i urbanitetit në një territor të caktuar. Dhe këtu sërish kemi një tregues i cili e ka këtë element të renditur nga Tirana, Kamza, Durrësi, Vlora, Elbasani e deri te zonat të cilat e kanë këtë tregues më të ulët”, tha Mazniku.

Indeksi i tretë, ai i performancës ekonomike, sipas Maznikut, analizon ekonominë e territorit përmes treguesve si punësimi, produktiviteti, paga mesatare dhe diversiteti ekonomik sipas sektorëve.

Mazniku tha se kombinimi i këtyre tre indekseve krijon një panoramë të plotë të situatës së çdo bashkie. Si shembull ai përmendi bashkinë e Pukës, e cila, sipas analizës, rezulton me tregues të ulët si për funksionalitetin, ashtu edhe për masën urbane dhe performancën ekonomike.

“Elementi i tretë është elementi i performancës ekonomike të territorit. Ky tregues na tregon si funksionon ekonomia, jo bashkia, pra ekonomia në territor. Elementi tjetër është punësimi informal, numri total i njerëzve të cilët janë të punësuar në territor për çdo 1.000 banorë. Elementi i tretë është produktiviteti: sa është xhiroja mesatare për të punësuar në territor? Elementi tjetër na tregon pagën mesatare mujore në atë territor. Elementi tjetër na tregon diversitetin ekonomik: sa kompani janë në bujqësi, sa janë në shërbime, sa në infrastrukturë, sa sipas sektorëve të ndryshëm të ekonomisë? Ky tregues në tërësi tregon atë që është treguesi i performancës ekonomike të asaj territori.

“Të gjitha këto bashkë na japin një një kombinim për të pasur mundësi për të kuptuar një bashki e caktuar si i ka secilin prej treguesve. Fjalë që bie, Puka e ka funksionalitetin e bashkisë 44%, që është te kategoria e ulët, e ka masën urbane 22%, që është e ulët, dhe performancën ekonomike 40%. Kjo është një hartë e cila na tregon si është situata për të gjithë Shqipërinë”, tha ai.

Një tjetër element i analizës, sipas tij, është vlerësimi i “forcës gravitacionale” të bashkive, që mat ndikimin ekonomik, funksional dhe territorial që një bashki ushtron mbi bashkitë fqinje, si bazë për identifikimin e bashkimeve të mundshme.

Mazniku theksoi se vendimmarrja nuk është bazuar vetëm te treguesit numerikë. Sipas tij, janë marrë në konsideratë edhe distanca nga qendrat urbane më të zhvilluara, si dhe lidhjet historike, sociale dhe kulturore mes komuniteteve.

“Kemi propozuar konsolidime të mundshme që rrisin funksionalitetin, performancën ekonomike, masën urbane dhe aftësinë për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët”, u shpreh ai.

Mazniku njoftoi se drafti parashikon edhe një ndryshim të rëndësishëm në organizimin e pushtetit vendor.

Sipas tij, modeli aktual “bashki–njësi administrative” do të zëvendësohet me modelin e ri “bashki–qytet–njësi administrative”, i cili synon një organizim më efikas të administrimit vendor dhe të shërbimeve për qytetarët.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›