Mazniku: Reforma territoriale garanton përfaqësimin proporcional dhe ruan identitetin vendor

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi sot në Kuvend se reforma e re territoriale garanton përfaqësimin proporcional të banorëve në këshillat bashkiakë, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e qyteteve dhe njësive përbërëse.
Duke folur për shqetësimet e ngritura gjatë konsultimeve mbi përfaqësimin e zonave që do të bashkohen, Mazniku tha se nevoja për rritjen e efikasitetit të bashkive duhet të shoqërohet me garantimin që qytetarët të ndihen të përfaqësuar.
“Ne ishim të qartë për nevojën për rritjen e efikasitetit, por njerëzit na thanë rregullisht që ne duam të ndihemi të përfaqësuar”, tha Mazniku.
Sipas tij, koncepti i qyteteve si një element ndërmjet bashkisë dhe njësive administrative është mekanizmi që garanton përfaqësimin proporcional në këshillat bashkiakë.
“Kjo ruan identitetin e qytetit, emrin e qytetit, historinë e qytetit dhe një sërë elementesh të funksionalitetit të përditshëm. Identiteti i qytetarëve nuk preket nga ky element”, u shpreh ai.
Mazniku theksoi se këshillat bashkiakë do të ruajnë përfaqësimin proporcional në bazë të numrit të popullsisë. Sipas tij, ky parim do të shtrihet edhe në bashkitë që do të ristrukturohen, duke garantuar përfaqësimin e njësive përbërëse.
Ai tha se ruajtja e përfaqësimit dhe identitetit vendor synon të sigurojë që zëri i qytetarëve të dëgjohet jo vetëm gjatë procesit të reformës, por edhe në vendimmarrjen e përditshme të pushtetit vendor.
“Duam që demokracia vendore, ku zëri i njerëzve dëgjohet, të funksionojë jo vetëm sot në këtë proces, por sa herë që bëhet një buxhet, sa herë që investohet një rrugë apo hapet një kanal vaditës”, tha Mazniku.
Duke iu referuar shërbimeve publike, ai nënvizoi se reforma nuk synon të heqë asnjë prej shërbimeve që ofrohen aktualisht në njësitë administrative.
“Na jepni emrin e një shërbimi i cili prej këtij bashkimi largohet. Asnjë kryetar bashkie, asnjë person nuk ka thënë emrin e një shërbimi i cili largohet”, deklaroi Mazniku.
Në përfundim, Mazniku e lidhi reformën territoriale me procesin e integrimit europian, duke argumentuar se ajo është pjesë e ndryshimeve që synojnë përafrimin e qeverisjes vendore me kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Partia Socialiste e Shqipërisë ka një barrë të cilën e ka marrë në zgjedhjet e fundit: ta çojë Shqipërinë përpara, ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Mazniku, duke e cilësuar reformën territoriale 2.0 si një prej reformave të këtij procesi.
Mazniku tha se reforma e re territoriale është hartuar duke respektuar kriteret e përcaktuara nga Kushtetuta, duke u ndalur te katër elementet që përcaktojnë ndarjen administrativo-territoriale.
Duke iu referuar Kushtetutës, Mazniku tha se ndarja administrativo-territoriale e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me ligj, mbi bazën e nevojave dhe interesave të përbashkëta ekonomike, traditës historike dhe duke marrë më parë mendimin e popullsisë që banon në territor.
“Elementi i parë është që ndarja e territorit bëhet me ligj. Nuk bëhet me vendim të këshillit bashkiak, as me vendim të këshillit të qarkut. Është prerogativë e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Mazniku.
Ai theksoi se, elementi i dytë lidhet me interesat e përbashkëta ekonomike dhe me aftësinë e bashkimeve të propozuara për të përmirësuar shërbimet dhe ekonominë e territorit.
“A e përmirëson ekonominë ky territor i bashkuar? A përmirëson funksionin, rrugët, pastrimin, mirëmbajtjen e çerdheve dhe kopshteve, investimet? Pyetja kryesore është nëse arrijmë të krijojmë ekonomi më të forta dhe interesa të përbashkëta ekonomike”, u shpreh ai.
Mazniku përmendi edhe traditën historike dhe lidhjet sociale e kulturore mes territoreve që propozohet të bashkohen. Sipas tij, në rastet e bashkimeve të propozuara ekzistojnë histori të gjatë bashkëpunimi administrativ, kulturor dhe social.
Elementi i katërt, sipas Maznikut, është konsultimi me popullsinë. Ai tha se gjatë procesit janë zhvilluar 11 dëgjesa në territor dhe 23 mbledhje, ku janë dëgjuar kryetarët e bashkive, ndërsa projektligji, relacioni dhe arsyetimi iu janë dërguar 61 këshillave bashkiakë për të dhënë mendimin e tyre me shkrim.
“Janë organizuar 128 dëgjesa nga këshillat bashkiakë në gjithë vendin. Të gjitha këto opinione janë mbledhur, administruar dhe janë dhënë në mënyrë institucionale, bashkë me mbledhjet dhe argumentimin, Komisionit të Ligjeve”, tha Mazniku.
Mazniku theksoi se se procesi ka marrë në konsideratë kriteret kushtetuese për interesat e përbashkëta ekonomike, historinë dhe lidhjet sociale-kulturore, si dhe mendimin e banorëve të territoreve të prekura nga reforma.
/gj.m/a.f/r.e/