E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbahen zgjedhjet, Valon Murati, sekretar i LB-së

Është mbajtur mbledhja e 8-të e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim. Mbledhjen e udhëhoqi Kryetari i LB-së, Avni Klinaku. Në analizën e zhvillimeve politike Kryetari i LB-së tha se bisedimet Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve paraqesin një rast shumë të mirë të humbur për t’i shtruar për zgjidhje çështjet më të rëndësishme të shqiptarëve, siç janë Mitrovica e ndarë dhe çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore. Në këto bisedime po bisedohet vetëm për të drejtat e serbëve dhe akomodimi i tyre në Republikën e Kosovës, e jo edhe për shqiptarët e dëbuar nga Mitrovica dhe edhe për shqiptarët e mbetur nën Serbi, thuhet në një komunikatë të LB-së.

Këshilli i Përgjithshëm, gjithashtu, shprehu mospajtimin e Lëvizjes për Bashkim me tendencën e ndërhyrjes në përmbajtjen e teksteve mësimore në fushën e historisë mbi bazën e politikave ditore. Gjithashtu, nga ky këshill doli ideja e formimit të një komisioni të përbashkët ndërshtetëror midis Ministrive përkatëse të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në funksion të njëjtësimit të teksteve mësimore mbi bazë shkencore.

Në këtë mbledhje të KP-së u vendos që për shkak të rritjes dhe zgjerimit të LB-së, si dhe për shkak të punës së madhe që e pret atë në të ardhmen, të rriten dhe të zgjerohen kapacitetet e strukturave udhëheqëse të LB-së. Kështu që, nga kjo mbledhje, unanimisht u vendos që Muhamet Kelmendi të jetë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Ndërsa, Kryesia e KP të LB-së u zgjerua me këta anëtarë: Mentor Kaçi, Ejup Pllana, Muhamet Kelmendi, Nazim Jashari, Kushtrim Sheremeti e Shukri Klinaku.

Sa i përket ndryshimeve strukturore, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që LB tani e tutje ta ketë Sekretarin e Përgjithshëm dhe gjashtë nënkryetarë. Këshilli i Përgjithshëm votoi Valon Muratin për Sekretar të Përgjithshëm të LB-së, ndërsa, sipas votës së KP-së, nënkryetarë të LB-së do të jenë: Raif Qela, Fadil Fazliu, Aurora Bakalli, Muhamet Kelmendi, Mentor Kaçi e Nazim Jashari./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›