Mbahet në Tiranë “Mëngjesi i Lutjeve të Europës Juglindore”: Ballkani të mos mbetet peng i historisë

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua “Mëngjesi i Lutjeve i Europës Juglindore”, me moton “Faith and Liberty”, e organizuar nga një grup deputetësh, të drejtuar nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Takimin e përshëndetën kryetari i Kongresit të SHBA-së Mike Johnson, senatori amerikan James Lankford, kryetari i grupit për Shqipërinë në Kongresin Amerikan, kongresmeni Robert Aderholt, dhe kryetari i Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në SHBA, kongresmeni Ben Cline.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të njohura nga SHBA, Europa dhe rajoni, mes tyre ish-Kongresmeni amerikan dhe këshilltari i zëvendëspresidentit amerikan JD Vance për veprimin konservator, Bob McEwen, ish-këshilltarja e presidentit George W. Bush, Mary Katherine Andrews, sekretarja e përgjithshme e PPE-së, eurodeputetja Dolors Montserrat, zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Eugenio Zoffili, përfaqësues të Institutit Republikan Amerikan, deputetë nga vendet e rajonit si edhe të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë aktivitetit, i cili u drejtua nga Arben Malaj dhe Fatmir Mediu, u nënvizua se popujt e Evropës Juglindore e njohin mirë çmimin e humbjes së lirisë, pasi kanë kaluar përmes ndarjeve, konflikteve dhe pasigurisë. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se besimi i jep njeriut forcën për të përballuar sfidat, ndërsa liria i jep dinjitetin për të jetuar.
Liritë, të drejtat janë të dhëna nga Zoti dhe jo nga qeveria. Qeveria nuk është Zot i jetës sonë, por duhet të garantojë, të drejtat dhe liritë dhe ndërtimin e të ardhmes e mirëqenies në Shqipëri.
Në një kohë kur Evropa dhe bota përballen me luftëra, polarizim dhe krizë besimi, u theksua nevoja për përgjegjësi morale, solidaritet dhe bashkëpunim mes kombeve. Duke cituar Nënë Terezën: “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”, pjesëmarrësit bënë thirrje që Ballkani të mos mbetet peng i historisë, por të ndërtojë një të ardhme të bazuar mbi vlera demokratike, shpresë dhe liri me përgjegjësi.
/m.q/a.f/r.e/