Mbahet protesta e 68-të në Tiranë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Në Tiranë po mbahet pasditen e sotme protesta e 68-të, me qytetarë që janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec dhe me kërkesa për ndryshime politike.
Protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa në fokus të tubimit janë kundërshtimi i projektit në Zvërnec dhe kërkesa për anulimin e tij.
Qytetarët kërkojnë gjithashtu ndryshimin e ligjit zgjedhor, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe të “Paketës së Maleve”, si dhe ndryshime lidhur me zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë deklaruan se do të vijojnë tubimet, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në politikat qeverisëse.
Aktivisti Florian Myftari u bëri thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestave, duke theksuar se ndryshimi i vendit duhet të vijë përmes angazhimit qytetar dhe votës së lirë.
“Sot Edi Rama kishte shpresuar se asnjë nga ne nuk do ishte këtu dhe se do shijonte pushimet i qetë. Por jo, ne kemi vendosur të mos largohemi nga Bulevardi pa u larguar Edi Rama”, deklaroi Myftari.
Ai akuzoi politikën për mosmbajtje të premtimeve dhe kërkoi që qytetarët të marrin pjesë në jetën publike për të përcaktuar përmes votës së lirë drejtimin e vendit.
Ndërsa aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se pas 68 ditësh protestash qytetarët janë bashkuar përtej ndarjeve politike dhe krahinore, duke kërkuar një Shqipëri më të lirë dhe më të drejtë.
Ajo renditi ndër kërkesat kryesore dorëheqjen e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, si dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët dhe të ligjeve që, sipas saj, privatizojnë të mirat publike.
“Vijmë në këtë shesh çdo ditë sepse kërkesat tona nuk janë realizuar dhe nuk e lëshojmë sheshin pa u realizuar ato”, u shpreh Vatnikaj.
Protestuesit deklaruan se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, deri në realizimin e kërkesave të tyre.
1 nga 12vijon
/gj.m/a.f/