E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbahet sot në Tiranë Samiti i SEECP, kryetarët e shteteve anëtare priten nga Begaj, akset që bllokohen

Kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) mbërrijnë këtë të hënë në Tiranë në kuadër të samitit që do të mbahet në vendin tonë, e që ka në fokus të tij forcimin e bashkëpunimit rajonal, përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Do të jetë presidenti Bajram Begaj ai i cili do të presë kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.

Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.

Kufizimi i qarkullimit rrugor

Teksa krerët e shteteve si Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia, do të jenë të pranishëm sot në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e samitit, duke kufizuar përkohësisht qarkullimin rrugor në disa akse.

Në këtë kuadër, në ardhje të delegacioneve, do të ketë ndërprerje të qarkullimit në këto akse:

Aeroporti i Rinasit; Mbikalimi i Kasharit; Autostrada Durrës–Tiranë ; Unaza e Re ;Rrethrrotullimi i Saukut; Rruga e Elbasanit ; Rruga “George W. Bush” ; Rruga “Urani Pano” ;Rruga “Dervish Hima” ; Në largim, delegacionet do të ndjekin itinerarin: Rruga “George W. Bush” ; Rruga e Elbasanit; Rrethrrotullimi i Saukut; Unaza e Re ; Sheshi “Shqiponja” ; Autostrada Tiranë–Durrës ; Mbikalimi i Kasharit ;Aeroporti i Rinasit.

Gjatë zhvillimit të Samitit do të ketë kufizime shtesë në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe në Rrugën e Dibrës, ku përkohësisht do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, parkimi i mjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve.

Ndërsa orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes dhe lëvizjes së delegacioneve në Aeroportin e Rinasit. Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se këto masa janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë.

Fokusi

Motoja e Kryesisë së SEECP-së në Tiranë për periudhën 2024-2025 është” Formësimi i së ardhmes sonë evropiane “.

Shqipëria e konsideron Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore si një mekanizëm të jashtëzakonshëm rajonal që synon forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis pjesëmarrësve të tij me perspektivën e integrimit evropian të pjesëmarrësve që aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Kryesia e SEECP-së në Tiranë do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, duke rritur bashkëpunimin për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar Procesin e Integrimit Evropian. Nxitja e bashkëpunimit të përgjithshëm brenda platformës SEECP do të shërbejë për t’u përballur me sfidat e fundit të rajonit tonë.

Integrimi evropian: Sfidat aktuale globale kanë theksuar nevojën për të çuar më tej marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe pjesëmarrësve që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Proceset e integrimit në BE janë shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Bashkëpunimi në siguri: Shqipëria riafirmon vullnetin e fortë për të forcuar më tej bashkëpunimin rajonal për forcimin e sundimit të ligjit, zbatimin e politikave që promovojnë tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, si kontribues të drejtpërdrejtë në demokratizimin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe parandalimin e radikalizimit dhe akteve të dhunshme ekstremiste.

Rritja ekonomike: Shqipëria vlerëson rëndësinë e konvergjencës ekonomike për të gjithë pjesëmarrësit e SEECP-së. Zbatimi i plotë i objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) për rritjen e progresit të integrimit ekonomik rajonal si një rrugë drejt Tregut të Përbashkët të BE-së. Formësimi i së ardhmes dixhitale, forcimi i ekonomisë së tregut, ndërtimi i një Unioni prosperiteti dhe bërja e Evropës më të fortë në botë janë qëllimet e mishëruara në strategjinë politike të BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›