Mbartet në Tiranë të trajtojë tumorin, të afërmit se dinë, spitali se pret
Atje mos shkoftë as hasmi. Nuk e thotë një pacient, por disa syresh që janë të ulur në stolin pas dyerve në repartin e Onkologjikut në Tiranë. E sikur të mos mjaftonte sëmundja e rëndë, në vend të derës së hapur të spitalit u shfaqet një letër e bardhë ku shkruhet: Aparatura me defekt, për informacion: 2349407 dhe 2349406. Bëhet fjalë për aparaturën e rrezeve (kobalto-terapia), unike në vendin tonë. Aktualisht 80 pacientë nga e gjithë Shqipëria kanë mbetur në pritje, ndërsa sëmundja e tyre përparon dhe ndiejnë shqetësime dita-ditës.
Nuk është hera e parë që kjo aparaturë e domosdoshme prishet, por për rregullimin e saj nuk ka një person adapt në Shqipëri. Në të gjitha rastet duhet të pritet një i huaj, konkretisht italian, pasi atje është blerë dhe nga andej pritej të vijnë specialistët. Pacientët janë revoltuar dhe e konsiderojnë çdo sekondë që kalon si humbje kohë për shëndetin e tyre. Nga ana tjetër, personeli i spitalit është në qetësi.
Duhet të presim sa ATA të vënë ujin në zjarr,- thotë Dilaver Troci, pacient nga Dibra, ndërkohë që vetë piqet në diellin e nxehtë të gushtit në bordurën e spitalit së bashku me babanë. Provojmë ti biem numrit të telefonit të vendosur në derën e kyçur ku gjendet aparatura. Nga ana tjetër nuk përgjigjet askush… Po informacioni ku shkoi?
Jo të gjithë ata që i ka rënë halli janë nga Tirana, pjesa më e madhe vijnë nga rrethet. Vijnë çdo ditë në kryeqytet për të bërë kurën e rrezeve e ikin sërish. Një pjesë tjetër kanë marrë shtëpi me qera, pasi nuk e përballojnë dot rrugën lart e poshtë.
Një nga pacientët, që nuk e përmban dot nervozizmin është edhe V. F nga Vlora, i cili nuk do të prononcohet me emër të plotë, pasi nuk do të alarmojë të afërmit për sëmundjen. Ai është shumë i shqetësuar për këtë mungesë aparaturash, gjë që ndikon në mos kapjen në kohë të problemit shëndetsor. Që kur kishte pasur anomalitë e para me shëndetin, shkoi për të bërë skanerin dhe përgjigjia që mori ishte: Hajde pas një muaj së është prishur aparatura. Nga ana tjetër i kanë thënë që do bësh rezonancë, po hajde pas 3 muajsh se aparatura është e prishur. Gjatë këtij muaji çfarë ndodhte më sëmundjen e tij…? . Burri rreth të 50-ave, me një të folur të avashtë, ngre pyetjen: Pse ndodhin këto incidente kur ky spital është apostafat për këto sëmundje? Në qoftë se unë do ta bëja brenda muajit skanerin apo rezonancën, do të kisha shumë avantazhe për shëndetin. Vonesa mua më solli shumë dëme. Ngacmimi preku trurin dhe më dha pasoja të rrezikshme. Përfundova të gjithë mjekimet edhe u operova në kokë e më thanë: Pas një muaji do të bësh rreze. Në rregull, fillova rrezet, pas tre ditësh u prish sërish aparati. E pyesim personelin dhe nga ata vjen përgjigjia: Është prishur aparatura. Po tani?
V. ka marrë familjarët e ngushtë nga Vlora dhe këto kohë është shpërngulur në Tiranë. Askush tjetër nga të afërmit e tyre nuk e di pse kanë ardhur në Tiranë. V. ka marrë një shtëpi me qera pranë Shkollës së Baletit dhe dita-ditës pret të rregullohet aparatura. Ky është vetëm rasti i njërit prej pacientëve, por si puna e tij janë dhe shumë të tjerë.
E sikur të mos mjaftonin të gjitha kjo ai që ka bërë betimin e hipokritit, mjeku, shkon edhe më tej… Ka pasur përballë një grua nga Kosova, e cila është ankuar për aparatin e rrezeve. Mjeku i nervozuar i ka lëshuar një mufkë: Ju e keni biletën e prerë çfarë aparature kërkoni?. Me lot në sy, lë derën e Onkologjikut. Ky është spitali, ata janë pacientët.
Për të disatën herë…
Është e habitshme se sa shpesh prishet aparatura e rrezeve në QSUT. Po të bësh një kërkim në google për këtë çështje që nga viti 2006 e deri më tani nuk ka ndaluar së pësuari defekte. Të dalin një sërë lajmesh me të njëjtin argument. Prishet aparatura, pritet specialisti nga jashtë, pacientet presin në dyert e spitalit. E çmund të themi tjetër veçse; Aparaturë moj aparaturë kështu deri kur…?
Specialisti vjen të enjten
Është e vërtetë që aparatura nuk ka qenë në funksion këto ditë pasi ka pasur një problem me pjesën e shtratit-shprehen zyra e shtypit pranë drejtorisë në QSUT. Para disa ditësh ka ardhur specialisti italian ka konstatuar problemi dhe ka ikur sërish. Të enjten, në 1 shator ai do të kthehet përsëri së bashku me pjesën në të cilën aparatura ka problem. Duhet theksuar që kjo aparaturë është unike në Shqipëri dhe nuk ka specialist në vendin ton që mund të bëjnë riparimin e saj.
