Mbërrijnë raketat ruse në Siri. Assad: Batica e luftës po ndërron drejtim
Siri- Në një intervistë për një televizion libanez, presidenti sirian Bashar al Assad ka bërë të ditur se ka mbërritur në Siri ngarkesa e parë e një sistemi të avancuar raketash ruse, raporton BBC.
Siria ka marrë ngarkesën e parë të sistemit rus të raketave S-300. Ngarkesat e tjera do të mbërrijnë së shpejti, ka deklaruar Assad në intervistë.
Sipas BBC-së, Presidenti Assad raportohet ti ketë thënë gjithashtu televizionit të lidhur me lëvizjen Hezbollah, Manar TV, se batica e luftës “po ndërron drejtim”.
S-300 është një sistem raketash shumë i fuqishëm i tipit tokë-ajër, që mund të godasë gjithashtu aeroplanmbajtëset dhe të qëllojë raketa balistike. Disa analistë e kanë cilësuar dërgimin dhe përdorimin e raketave si një element që mund të ndryshojë rrjedhën e lojës në konfliktin sirian.
Më parë Rusia deklaroi se do të vazhdonte dërgimin e armëve në Siri, menjëherë pasi Bashkimi Evropian e hoqi embargon e armëve për këtë vend. Dërgimi i raketave të tilla mban të ngritur shqetësimet për rritjen e tensioneve me Izraelin, në një kohë kur Siria ka thënë se do të përgjigjet në mënyrë direkte nëse Izraeli do të kryejë sulme të tjera ajrore në territorin e saj.
Gjithashtu, ekziston frika se raketat mund të çojnë dëm përpjekjet për mbajtjen e një konference për paqen në Siri, e parashikuar për në muajin qershor në Gjenevë.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm sirian Ëalid Muallem tha se forcat e armatosura siriane kanë rinisur ofensivën. Trupat tona janë rikthyer në veprim, deklaroi ministri për mediat libaneze.