E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mbështes çdo hetim për 21 janarin”, Berisha: Rama përgjegjës për protestën e dhunshme

14 vite pas ngjarjes tragjike të 21 janarit ku u vranë 4 protestues, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se mbështet çdo hetim.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha shprehu keqardhje për viktimat, por përsëriti qëndrimin e tij se duhet të hetohet roli i kryeministrit Edi Rama asokohe kryetar i PS si organizator i protestës.

“Mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje, por gjithashtu deklaroj se nuk ka asgjë tjetër, vetëm për të shpëtuar përgjegjësitë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës”, tha Berisha.

Sipas Berishës, prej 14 vitesh prokuroria ka qenë nën kontrollin e kryeministrit Edi Rama dhe ai s’ka pasur mundësi të pengonte hetimin.

“Ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duan t’i përdorin fatkeqësitë të tjerëve, për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 vjet prokuroria ka qenë tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës. Ishte Ina Rama, prokurore që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorin ndërkombëtar dhe pas vitit 2013, njëri pas tjetrit prokurorët nga Arta Marku, Olsi Çela etj., etj., njeri tjetër përveç Edi Ramës nuk i pengoi, të hetojë në çdo aspekt”, tha Berisha.

Sipas kryetarit të PD, Sali Berisha, ngjarja e 21 janarit po përdoret për qëllime politike nga PS./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›