E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD depoziton ndryshimet në Kod: Të votojnë edhe ata që nuk janë pajisuar asnjherë me dokumente

Partia Demokratike depozitoi sot në Kuvend një ndryshim të ri në Kodin Zgjedhor i cili lidhet me votën e diasporës.

Në draftin e hartuar nga opozita kërkohet që çdo qytetar shqiptar pavarësisht nëse i kanë skaduar apo jo dokumentat biometrike të identifikimit të ketë mundësi të votojë në zgjedhjet e 11 majit.

Por Partia Demokratike kërkon që ligji t’u japë të drejtë të votojnë edhe ata qytetarë shqiptarë të cilët janë larguar herët nga Shqipëria e nuk janë pajisur asnjëherë me dokumentat biometrike të identifikimit.

“Vetëm për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, dokumente të vlefshme identifikimi, me qëllim mundësimin për të votuar, zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit, do të konsiderohen: Pasaportë ose letërnjoftim, brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër.”

Duke iu referuar raportit të ODIHR, Partia Demokratike sjell në vëmendje se janë 600 mijë qytetarë shqiptarë të cilëve iu kanë skaduar dokumentat e identifikimit dhe ata duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Nga ana tjetër, PD beson se është i lartë numri i shqiptarëve që kanë emigruar herët, që kanë lindur jashtë vendit dhe nuk janë pajisur kurrë me dokumentat biometrike, të cilët duhen lejuar të votojnë me dokumentat e shteteve ku ata sot jetojnë, p.sh. dokumentat amerikane, italiane, apo greke.

Propozimi i PD vjen pas dakordësisë me PS për të realizuar disa ndërhyrje me qëllim lehtësimin e procesit të votimit të diasporës.

Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord të ndryshojnë afatet për regjistrimin e kandidatëve për deputet në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më herët e t’u dërgohet emigrantëve.

Gjithashtu, PS dhe PD kanë rënë dakord që të lejohen të votojnë ata qytetarë që kanë dokumenta të skaduara të identifikimit.

Por deri më tani, PS nuk ka pranuar që të ndryshojë ligjin për të votuar ata shqiptarë që nuk kanë asnjë dokument të shtetit shqiptar./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›