Mbështetje në bujqësi, interes i lartë për aplikime në Bashkinë Maliq

Në bashkinë e Maliqit ka qenë i lartë interesi për aplikime për të përfituar nga Skema Mbështetëse e Bujqësisë.
Në ditët e para të çeljes së kësaj skeme kombëtare janë kryer rreth 500 aplikime për naftë dhe rreth 150 për blegtori e bletari.
“Si bashki kemi marrë masat që të funksionojnë të gjitha njësitë administrative, edhe bashkitë në qendër. Kemi 4–5 sportele në bashkinë-qendër dhe në të gjitha njësitë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve. Skema e aplikimit është e ngjashme me vitin e kaluar, por janë shtuar dy elemente sigurie. Bashkia Maliq është një nga bashkitë më të mëdha, që ka aplikuar si çdo vit tjetër për subvencionimin e naftës,” tregon Arben Durellari, drejtor për Bujqësinë dhe Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë Maliq.
Fermerët mund të aplikojnë në 8 skema ndërkohë që shprehen se kjo mbështetje ua ka lehtësuar punën
“Kam 20 dynymë dhe mbjell grurë, patate, misër… çfarë të ketë nevojë tregu. Kam përfituar që kur ka dalë skema për herë të parë. Për fermerin, çdo gjë që jepet është ndihmë,” thotë një fermer.
Procesi i aplikimeve për këto skema mbështetëse mbyllet në 30 maj.
Fusha e Maliqit është e dyta në Shqipëri pas asaj të Myzeqesë, me rreth 13 mijë hektarë tokë, në të cilën mbillen një sërë kulturash bujqësore, si dhe është ndër më pjelloret në vend.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/