E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështetje për Kosovën

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rikonfirmuar se do të vazhdojë mbështetjen për Republikën e Kosovës.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stuart E. Jones, ka deklaruar gjatë një vizite të shkurtër në Prishtinë se Washingtoni mbështet fuqishëm integritetin territorial të shtetit të ri.

Jones është takuar të premten me presidentin Fatmir Sejdiu dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

“Ne biseduam për çështje të ndryshme dhe padyshim ne mbështesim integritetin territorial të Kosovës dhe do të punojmë edhe për zgjidhje të tjera”, ka thënë diplomati amerikan, pas këtij takimi.

Ndërkaq, përmes një kumtese për media, Presidenca ka njoftuar se Jones “ka siguruar Presidentin Sejdiu se SHBA mbështet qartë integritetin territorial të Kosovës dhe do të vazhdojnë me mbështetjen e fuqishme për Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve të reja, në procesin e integrimeve, në planin e zhvillimit ekonomik dhe në fusha të tjera”.
Presidenti Sejdiu ka njoftuar përfaqësuesin e State Departamentit për zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, për sukseset e arritura dhe sfidat që ka Republika e Kosovës para vetes.

“Presidenti Sejdiu foli për të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në planin e brendshëm, ndërsa theksoi edhe lobimin që po bëjnë institucionet e vendit me qëllim të sigurimit të njohjeve të reja.
Në këtë plan, Presidenti Sejdiu kërkoi nga z.Jones që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë mbështetjen e tyre të gjithanshme për Republikën e Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka pasur një drekë pune me diplomatin amerikan.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë për konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës, për sundimin e rendit dhe ligjit, për luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për shtrirjen e autoritetit të institucioneve kosovare në gjithë territorin e vendit”, thuhet në një kumtesë nga Kryeministria.

Thaçi ka ripotencuar përkushtimet e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit që në bashkëpunim të thellë me institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, të arrihet shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.

“Kjo është në të mirë të paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit mes të gjitha komuniteteve, është në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi në takim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë thellësisht e angazhuar për respektimin afirmativ të të gjitha të drejtave të komuniteteve në Kosovë, duke inkurajuar pjesëmarrjen e gjithanshme dhe aktive të komuniteteve në jetën institucionale dhe politike të vendit”, është shprehur Thaçi.

Kreu i Ekzekutivit ka folur edhe rreth krijimit të komunave të reja, përmes pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet e fundit lokale, duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë.

Në takim është biseduar edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Me këtë rast Kryeministri potencoi projektet madhore që do të fillojnë zbatimin këtë vit, siç janë ndërtimi i autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdarë, privatizimi i PTK’së, koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës, ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re, Hidrocentralit të Zhurit dhe projekte të tjera të rëndësishme, që do të ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, thuhet në kumtesë.

Nga ana e tij, Jones riafirmoi qëndrimin zyrtar të SHBA’ve për respektimin e tërësisë territoriale të Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen e plotë amerikane për të gjitha përkushtimet e Qeverisë së Kosovës për respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe integrimin e plotë të tyre në jetën dhe në institucionet e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›