E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetjet e Kurum në Porto Romano, Gjykata e Durrësit rivlerëson sot 20 nga 33 masat e dhëna

Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës ka nisur seanca për rivlerësimin e masave të sigurisë për 20 persona të arrestuar në lidhje me çështjen e mbetjeve të kompanisë Kurum.

Me kërkesë të Prokurorisë, janë dhënë gjithsej 33 masa sigurie, mes tyre administratorë të kompanive private dhe zyrtarë shtetërorë, të dyshuar për kontrabandë, falsifikim dokumentesh, menaxhim të paligjshëm të mbetjeve, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Çështja lidhet me 2,816 ton mbetje të rrezikshme që u nisën drejt Tajlandës, por u kthyen në Portin e Durrësit në korrik 2024, pas refuzimit nga autoritetet tajlandeze.

Hetimet tregojnë se shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe zyrtarë shtetërorë, ka tentuar të fshehë natyrën e vërtetë të mbetjeve për t’i eksportuar jashtë vendit dhe për t’i tregtuar brenda territorit shqiptar, në kundërshtim me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Analizat laboratorike në Itali konfirmuan se materiali ishte i rrezikshëm.

RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›