Mbi 100 albanologë takohen në Prishtinë
Seminari
Më shumë se njëqind studiues të albanologjisë e të kulturës shqiptare janë bërë bashkë në Prishtinë. Siç raportin Koha.net, prej ditës së djeshme, ka nisur punimet Seminari XXXI për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Albanologët do të mbajnë kumtesat e do të shkëmbejnë mendimet për trembëdhjetë ditë me radhë, ndërsa drejtori i seminarit, Bardh Rugova, ka thënë se në kuadër të sesioneve shkencore, që organizon seminari çdo vit, këtë herë vëmendja më e madhe do ti kushtohet 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edicioni i këtij viti përkon me 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Për këtë do të mbahet një tryezë e veçantë e seminarit, por edhe sesionet shkencore do të jenë të lidhura me këtë ngjarje, ka thënë Rugova. Edhe sivjet, seminari do të ketë sesionin e gjuhësisë, për të cilin është caktuar tema Gjuhësia shqiptare (1912-2012), si dhe atë të letërsisë, që këtë vit do të ketë për temë Studimet letrare shqiptare (1912-2012). Një takim përkujtimor do të mbahet edhe për poetin e ndjerë Ali Podrimja. Poeti Ali Podrimja ka qenë pjesë e seminarit vazhdimisht në një mënyrë ose tjetrën. Ai u nda prej nesh, pasi ne e kishim dërguar në shtyp programin e seminarit. Mirëpo ne kemi vendosur që të gjejmë një hapësirë brenda programit dhe tia kushtojmë një orë letrare poetit Podrimja, duke lexuar disa nga poezitë më të bukura të tij, ka thënë Rugova. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare do të mbahet deri më 25 gusht.
Mbi 100 albanologë takohen në Prishtinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip