Mbi 1200 qytetarë përfituan nga ndihma juridike falas në dy muajt e parë të vitit

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se gjatë periudhës janar–shkurt 2026 është shënuar një rritje në përfitimin e shërbimit të ndihmës juridike falas nga qytetarët.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ministria e Drejtësisë nënvizoi se “për periudhën janar-shkurt 2026, një total prej 1278 qytetarësh kanë përfituar shërbimin e ndihmës juridike falas, duke reflektuar një rritje prej 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
Ministria thekson se kjo rritje është një tregues i qartë i përmirësimit të aksesit në drejtësi për qytetarët.
“Ky zhvillim dëshmon jo vetëm rritjen e aksesit të qytetarëve në drejtësi, por edhe forcimin e besimit ndaj mekanizmave të mbështetjes ligjore, duke theksuar rëndësinë e garantimit të barazisë përpara ligjit për të gjithë”, nënvizoi Ministria e Drejtësisë.
Gjithashtu, sipas Ministrisë së Drejtësisë “kjo rritje tregon për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe angazhimin institucional për të qenë sa më pranë qytetarëve në nevojë”.
Nga kjo ndihmë përfitojnë: qytetarët pa të ardhura dhe pasuri të mjaftueshme; Viktimat e dhunës në familje; Viktimat e abuzuara seksualisht; Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore; Viktimat e mitur, të miturit në konflikt me ligjin; Fëmijët të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore; Personat që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit; personat, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale, etj.
/m.q/r.e/