Mbi 19 kg kanabis në valixhe nga Tajlanda në Shqipëri, arrestohet 39-vjeçari

Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia në Rinas pasi po udhëtonte nga Tajlanda në Shqipëri me një valixhe me mbi 19 kilogramë kanabis me përqindje të lartë THC-je.
Policia ka arrestuar në flagrancë 39-vjeçarin Dh.Sh ndërsa ka sekuestruar lëndën narkotike.
“Pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të këtij procedimi proaktiv, finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Pako 6”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Sh.,39 vjeç, banues në fshatin Kras, Tepelenë”, thuhet në njoftim.