Dita e Tares në Milano, shqiptarin e pret një verë e zjarrtë

Pasditen e sotme Igli Tare do të akomodohet në zyrën e tij në “Casa Milan” pasi do të marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit sportiv. Pengesat nuk do të jenë të vogla për Taren në muajt e parë si zyrtar i skuadrës së Milanit, e cila sapo ka mbyllur një sezon të dështuar.
Për Taren detyra e vështirë është që të gjejë një trajner sa më shpejt të jetë e mundur pasi vetëm më pas do të ketë mundësi që të ndërhyjë edhe në organikën e ekipit.
Pasardhësi i Konseisaos thuhet se do të jetë njëri mes Roberto Mançinit dhe Tiago Motës edhe pse kandidatura e preferuar e Tares ishte Italiano. Sa i përket organikës së skuadrës shqiptari ka shumë punë për të bërë pasi duhet që të ndërhyjë në merkato duke parë me kujdes bilancin. Financat e kuqezinjve do të mund të normalizoheshin duke shitur Reijnders, i cili vlerësohet nga kuqezinjtë rreth 60 milionë euro. Por mund të thuhet se ai nuk do të jetë i vetmi që do të largohet. Edhe lojtarë si Leao, Çukueze, Ço, Musah dhe Teo Hernandez do të jenë në qendër të merkatos nëse do të kërkojnë që të largohen.