Mbi 41 mijë fermerë aplikuan në Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Mbi 41 mijë fermerë kanë shprehur interes për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026, e cila përfshin 12 masa mbështetëse për sektorin bujqësor.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë të Pogradecit dhe Korçës, ku u diskutua mbi aplikimet, sfidat e sektorit dhe mbështetjen financiare të parashikuar për vitin 2026.
Gjatë takimit, ministri Salla bëri të ditur se aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes u mbyllën më 6 korrik, ndërsa theksoi interesin e lartë të fermerëve edhe nga zona e Korçës dhe Pogradecit.
Në fokus të diskutimeve ishin nevojat e fermerëve, rritja e prodhimit bujqësor dhe instrumentet financiare që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Ministri i ftoi fermerët të përfitojnë edhe nga mundësitë e tjera të mbështetjes, përfshirë kompensimin në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes, si dhe kredinë e butë me garanci shtetërore, e cila synon të lehtësojë investimet, zgjerimin e aktiviteteve dhe fuqizimin e sipërmarrjeve bujqësore.
Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 është pjesë e politikave të qeverisë për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë.
/gj.m/j.p/