E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mbi 5 orë në SPAK, Kryemadhi: Isha si person në dijeni, ndahemi me Metën për sulmet ndaj SPAK

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur mëngjesin e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kryemadhi u paraqit në SPAK rreth orës 10:00 dhe doli nga SPAK rreth orës 15:30. SPAK ka nisur një hetim pasuror mbi Kryemadhin dhe familjarët e saj, ndërsa më 11 prill 2024 në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ishte nëna e Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, e cila u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK. Por, Kryemadhi më herët është paraqitur edhe si kallëzuese në SPAK.

Në dalje të SPAK, Kryemadhi theksoi se i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të ngritura nga prokurorët e prokurorisë së posaçme antikorrupsion.

“Isha për t’u përgjigjur rreth padisë së rremë që ka bërë Veliaj me suflerët, shërbëtorët e tij. Padia që është dorëzuar në SPAK kundër Monika Kryemadhi, është një padi e bërë nga dy ushtarët e bindur të Veliaj-t, ku është paditur nëna ime, vëllai im dhe fëmijët e mi.Iu përgjigja të gjitha pyetjeve dhe në bazë të të dhënave të mia dhe të atyre që ka mbledhur SPAK. Ne ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë për akuzat që kanë ngritur. Besoj se e ezauruan në aspektin e pyetjeve dhe të përgjigjeve, e firmosa me vetëdije të plotë duke marrë përgjegjësitë e mia si qytetare, deputete, bashkëshorte, nënë”, tha Kryemadhi.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, Kryemadhi tha se “lobimi, hetimi pasuror i Monika Kryemadhit dhe çështja e operacioneve plastike që flasin nëpër televizone, janë në një çështje. Nuk kam bërë ndërhyrje estetike, meqë e keni me dëshirë të madhe. Çdo grua që mirëmbahet dhe kërkon të jetë korrekte me pamjen dhe imazhin e saj, nuk është se ka bërë operacione plastike”.

“Nuk ka prerje estetike, botoks kam bërë si të gjithë gratë e burrat. Fëmijët e mi nuk janë marrë asnjëherë në pyetje” tha Kryemadhi. Ajo tha se nuk kishte asnjë merak mbi celularin që i ka marrë SPAK. “Celulari im ka vetëm gjëra të bukura. Fjalë të mira”, theksoi Kryemadhi.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Kryemadhi ndryshe  nga Meta tha se mbështet SPAK.

“Vazhdojë t’i qëndrojë çdo deklarate time për reformën në drejtësi dhe nuk e sfidojë as sistemin e drejtësisë, as sistemin ku punojmë dhe jetojmë. Nëse do të sfidoja s’do të isha nga deputetet e pakta që ka dorëzuar në SPAK 6 padi për inceneratorin, evazionin fiskal të kompanive të inceneratorëve etj. Të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Lufta ime është betejë politike, jo me prokurorët. Ato do bëjnë punën e tyre. Unë jam paditur nga Veliaj dhe ushtarët e tij. Ndahemi me Metën për sulmet ndaj SPAK”, tha Kryemadhi.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›