Mbi 500 të diplomuar, mbetës në testim. Nuk kanë marrë asnjë kredit
Provimi i shtetit
Dentistët, njohuri të cunguara rrezikojnë profesionin
Shpresa Mezini
Të zhvillosh provimin e shtetit do të thotë të fitosh të drejtën për të ushtruar profesionin. Të vlerësuesit me notë të mirë ose mesatare e pajis kandidatin automatikisht me licencë profesioni. E kundërta ndodh me kaluesit, të cilët përjashtohen nga provimi duke u konsideruar mbetës. Mirëpo, ky testim përveç qëllimit të mirë, ka shërbyer edhe si sitë që ka skualifikuar ata studentë, që edhe pse kanë diplomë në 1 prej 11 profesioneve të rregulluara me ligj, kanë dije të cunguara. I tillë është rasti i stomatologëve, qoftë atyre të diplomuar në publik apo qoftë të atyre të diplomuar në privat. Niveli i tyre i dobët ka lënë pa fjalë vlerësuesit e provimit të shtetit, të cilët janë ballafaquar me përgjigje amatore, pa kurrfarë lidhje me fushën për të cilën janë diplomuar.
Shifrat tregojnë se 1 në 3 stomatologë rrezikojnë të punojnë në profesionin e tyre. Niveli i dobët i tyre, duke qenë se nuk kanë marrë pjesë në programet e edukimit në vazhdim, do ti penalizojë ata deri në testimin në një tjetër mundësi. Sipas të dhënave, mësohet se mbi 500 dentistë janë të papërgatitur për tu punësuar, për shkak të mangësive të thella në këtë fushë. Duke iu referuar udhëzimit për provimin e shtetit të stomatologëve, ata duhet të marrin të paktën 100 kredite për të konkurruar lirisht në tregun e punës. Mirëpo, koha që ata kanë në dispozicion skadon në vitin 2014, ndërsa mundësitë që u kanë mbetur janë vetëm 3, në të kundërt do tu duhet ti thonë lamtumirë njëherë e mirë profesionit të dentistit.
Rezultatet
Vjet stomatologët kanë dalë akoma më dobët, fakt që vërtetohet nga mesatarja, që arrin në 6.2. Madje, me notën 10 është vlerësuar vetëm një kandidat, nga 148 të testuar. Nuk kanë mundur të marrin as 50% të pikëve plot 38 stomatologë dhe 23 mjekë. Ata nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë profesionin, pavarësisht diplomës që kanë, deri në testimin tjetër. Janë jo pak ata që kanë kaluar testin me paterica. Janë vlerësuar me dobët 41 stomatologë.
Për tu quajtur kalues në provimin e shtetit, kandidatët duhet të grumbullonin më shumë se 50 pikë nga 100 të mundshme. Vlerësimi i testit ka qenë në mënyrë elektronike, kështu që kandidatët e kanë parë në ekranin e kompjuterit notën me të cilën janë vlerësuar. Mbetësit nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë profesionin e tyre, deri në testimin e ardhshëm, që për ta do të jetë mundësia e 3.
Testimi
Tashmë është fakt i njohur, që të kesh kryer studimet dhe të kesh marrë diplomën në një fakultet, nuk është e mjaftueshme për tu titulluar në një profesion dhe për të fituar të drejtën e ushtrimit. Titullimi në profesion dhe e drejta e ushtrimit fitohen vetëm pas kryerjes së praktikës profesionale për një periudhë të caktuar, në profilin përkatës dhe dhënies së Provimit të Shtetit, në përfundim të kësaj praktike. Vetëm nëse kalon Provimin e Shtetit, praktikanti fiton të drejtën e anëtarësimit definitiv në Urdhrin përkatës, ku dhe merr licencën për të ushtruar i pavarur profesionin. Një praktikë e tillë ishte e nevojshme dhe duhej të ishte aplikuar më herët në sistemin tonë arsimor. Këtë e kanë provuar eksperiencat tona të deritanishme, por edhe ato ndërkombëtare, parashikon ligji Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë.
Shifrat
Mësohet se 1 në 3 stomatologë rrezikojnë të punojnë në profesionin e tyre, për shkak të nivelit të dobët
Afati
Koha që ata kanë në dispozicion për të rikuperuar rezultatin skadon në vitin 2014, ndërsa mundësitë që u kanë mbetur janë 3
Mbi 500 të diplomuar, mbetës në testim. Nuk kanë marrë asnjë kredit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email