E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 6800 vizita në qendrat shëndetësore verore gjatë një jave

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Qendrat shëndetësore verore vijojnë të ofrojnë pa ndërprerje shërbim shëndetësor për pushuesit në zonat turistike të vendit.

Sipas raportit javor të bërë publik nga Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor për periudhën 10–16 gusht 2026 janë realizuar gjithsej 6803 vizita në qendrat shëndetësore verore.

Nga këto vizita, 9% u përkasin pushuesve të huaj, duke dëshmuar nevojën për ofrimin e shërbimit shëndetësor të aksesueshëm edhe për turistët që zgjedhin Shqipërinë për pushimet verore.

Ndër diagnozat më të shpeshta të evidentuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë gastroenteritet, hipertensioni arterial, si dhe rastet e pickimeve dhe alergjive.

Qendrat shëndetësore verore me numrin më të lartë të vizitave gjatë javës kanë qenë ato në Pogradec, Shëngjin dhe Velipojë.

Ekipet shëndetësore vijojnë të jenë çdo ditë në terren për t’u ofruar kujdes pushuesve vendas dhe të huaj, me synim garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt dhe të shëndetshëm.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›