E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi kontrollin e territorit

Duke qenë për disa ditë në qytetin tim, Korçë, teksa shëtisja nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit, e pyeta veten: Ç’e ka shpëtuar këtë qytet nga shkatërrimi dhe humbja e identitetit? Përse aty nuk ndihet policia ndërtimore për prishje? Përse asnjë trotuar apo shesh publik nuk është zaptuar? Përse nuk ka shumëkatëshe në zonën e vjetër, po vetëm në periferi? Ç'i shtyn banorët, edhe ata të ikurit në emigracion, të lyejnë e të zbukurojnë fasadat e shtëpive private, duke i dhënë qytetit një nur e dinjitet urban që nuk e sheh kurrkund tjetër në Shqipëri? Sigurisht ai që quhet "kontroll i territorit" nuk është kryer vetëm nga autoritetet lokale, por nga vetë qytetarët, të cilët e kanë pasur të ndarë pronën dhe sinoret, kufirin e së drejtës; por edhe ngaqë të parët, ata që e ideuan qytetin, kanë qenë aq të mençur sa të ndërtonin me një plan strikt urbanistik, "me vizore" horizontalisht e vertikalisht, që të gjitha rrugët të të nxirrnin në qendër, në bulevard, pasi të ishin siguruar më së pari kanalizime të ujërave të zeza e të bardha. Sa herë shoh prishje të ndërtimeve pa leje trishtohem, nuk ngazëllehem ndonëse pse e di që koston përherë do ta paguajë shtrenjtë komuniteti dhe më pas ai që ka gabuar, ai që ka hyrë në të drejtën dhe në hakun e tjetrit. Por nëse qytetarit i mungon kjo aftësi për të gjykuar e parashikuar për investimin, janë mekanizmat shtetërorë ato që duhet të imponojnë rregull e disiplinë. Në këtë kuptim, kush është më fajtor, qytetari apo qeveria? Sa vjet kemi që miliona euro të investuara nëpër ndërtime pa leje kanë shkuar "për lesh"? Edhe në kohën e Zogut, po të ndryshoje ngjyrën e vilës, si në çdo vend normal, duhej të nxirrje leje nga Bashkia. Kurse sot mund të ngresh disa kate mbi pallatin e të tjerëve e nuk guxon kush të të pengojë, sigurisht po ta kesh mirë me policinë ndërtimore të Bashkisë. *** Po flitet shumë këto ditë nga rishtarët qeveritarë për vendosjen e kontrollit mbi territor. Është fjala për zhvillimet urbane, për zonat rurale, për ndërtimet pa leje, për kandaharizimin e egër të qyteteve, fshatrave, pyjeve, rrugëve e plazheve. Dmth për zaptimin e tjetërsimin e pronave dhe të aseteve publike nga të fortët e kudondodhur të politikës. Kjo mësymje e pushtuesve vendorë mbi "mallin e askujt" ka shkuar aq larg sa edhe pushtuesit e huaj nuk mundën të bëjnë aq shumë dëme e zarare në shekuj... Në kryeqytet, - jo vetëm në Bathore, në Kodrën e Priftit e Paskuqan -, gjen lagje, rrugë dhe zona të tëra ku nuk ka kanalizime e ku nuk mund të hyjnë as autoambulancat, as zjarrfikëset dhe as makinat e varrimit. Pa folur pastaj për shkolla, shërbim mjekësor dhe ujësjellësa. Por "jashtë kontrolli" kanë dalë krahina e fshatra të tërë, fillimisht Tropoja e tash Lazarati. Rregullisht "jashtë kontrollit" sot gjenden komunat e Bashkitë, të cilat nuk kanë përputhje me ngjyrat partiake të qeverisë qendrore. Politika në vend që të na bashkonte na hasmosi edhe më tepër jo vetëm me njëri-tjetrin, po edhe me mjedisin, sepse i leverdisi të bëhej mbrojtës i monopoleve të ndërtimit dhe jo i interesit publik. Por akoma më jashtë kontrollit kanë dalë sot e kësaj dite rrugët kombëtare, monumentet e kulturës, historia, trashëgimia, kalatë, ushqimet, spitalet, ilaçet, arsimi, gjuha shqipe, etika, marrëveshja, mirëkuptimi, kultura kombëtare. Shqipëria duket si një vend pa zot që nuk qeveriset, por tërhiqet për hunde nga rastësia, kuturuja, forca dhe babëzia e tahmaja e njerëzve me pushtet të pakontrollueshëm... Ruralja me urbanen janë vënë në konflikt, në sherr, ku i fituar del përherë më harbuti, ai që ka guxim të mjaftueshëm për të mos zbatuar rregullin, ligjet, vijat e bardha, normat morale të komunitetit. Edhe mbi bunkerë janë shkruar fjalët magjike "Pronë private". Edhe WCtë publike janë përvetësuar. Në mbarë bregun ka më shumë pronarë kuksianë dhe tepelenas, se autoktonë. Tanimë nuk ka kthim prapa, sado arkitektë, urbanistë dhe sociologë të shquar ndërkombëtarë të na mirësevijnë në konferenca e seminare, për të na mësuar përse ne qytetarët e këtij vendi duhet të respektojmë pronën publike, si dhe ç'duhet të bëjmë mbas sodit për t'u urbanizuar, për të mbrojtur territorin nga shkatërrimi e rrënimi në dobi të interesave të komunitetit (të njëri-tjetrit). Aq e papërballueshme është kjo trysni sa edhe Banka Botërore dështoi me projektin qëllimmirë për sistemimin e bregut... Projektet gjermane dhe ato të BE-së, njëlloj si fondet për romët, kanë shkuar shpesh "në drejtim të paditur"... Individi është i pafuqishëm të mbrojë jo vetëm pronën publike, por edhe jetën e vet. "Territori" i familjes është më i pasigurt se rruga, që nuk dihet ç'të papritur të sjell... Edhe po të jetë patriarkal dhe autoritar prindi, nuk e zotëron dot familjen; rrezik më të pasigurt e të kërcënuar e ka; sepse familja gjendet përditë e më tepër përballë konfliktit, konsumizmit, kundërshtisë së brezave, pse jo edhe krimit: djali vret babanë, daja nipin, burri gruan... Për të siguruar oborret e hauret e bagëtive në disa fshatra të Myzeqesë banorët bëjnë roje me turne natën për t'u shpëtuar sulmeve të hajdutëve, kurse udhëtarët, në rrugën e Kombit duhet të kenë kujdes për kokën nga pusitë e "maskave". Sot zor se gjen një territor, trotuar apo kullotë, lumë apo bregdet, lulishte, tarracë pallati apo mjedis spitali e shkolle të pauzurpuar e të pakërcënuar. Edhe kishat e xhamitë, në shembullin e qeverive vendore dhe asaj qendrore që me VKM-ëra po "privatizon" gjithandej "SHQUPet" e mbetura pa zot, po mësyjnë pronat publike, lulishtet dhe parqet, ose në emër të partisë në pushtet, ose në emër të Zotit. Ne si qytetarë nuk jemi më të pavetëdijshëm, më të pakulturuar e më pak komunitarë se turqit, që u ngritën në protesta për një lulishte në Stamboll, por ne, me sa duket, jemi më të bindur për pafuqinë tonë përballë katrahurës që po i bëhet territorit nga qeveritarët që paguhen prej nesh për ta mbrojtur; policitë ndërtimore janë bashkëautore të shkatërrimit. Bakshishi dhe ryshfeti, allishverishi dhe trafikimi i së drejtës janë i vetmi "plan urbanistik" funksionues me të cilin sundohen edhe territoret e gjykatave dhe prokurorive, zyrat e tatimeve dhe regjistrimit të pronave të paligjshme, le më pastaj mjediset publike, ky "mall pa zot". Në të gjithë 28 mijë km katrorë, më pak se gjashtë apo shtatë për qind e territorit ishte me pronarë trashëgimtarë, të pajisur me tapi, duke përfshirë dhe pronat e latifondistëve e të bejlerëve (me këtë hartë trashëgimie nuk do të ishte i vështirë kthimi i pronave, apo jo?), kurse sot nuk gjen kurrkund një copë vend të lirë ku mund të ngrihet një shkollë apo ambulancë. Tani, besoj, e kemi kuptuar që na ka mbetur në dorë vetëm dëshira: a mundemi dhe, për më tepër, si duhet vepruar që të ndalet bathorizimi i mëtutejmë i shoqërisë? Se në mëshirë të fatit sot nuk është vetëm prona publike dhe private, po edhe siguria e jetës dhe, veçanërisht bashkëjetesa harmonike në territorin që ndryshe quhet "atdhe". Dihet që shumë shqiptarë kanë ikur në emigracion jo dhe aq për shkak të varfërisë ekstreme, se sa të pasigurisë që të ofron e nesërmja, ky "territor" rëndom armiqësor dhe tejet i paparashikueshëm që ndodhet jashtë nesh, jashtë çdo parashikimi e mundësie për t'u përballur me dinjitet. Nuk është tepri po të thuhet që territori social e moral është më i molepsur se territori fizik që na rrethon, për shkak të dasive, grindjeve, hasmërive, sherreve, konflikteve, smirës dhe sidomos prej mbizotërimit të moralit tribal "Secili për vete, Zoti për të gjithë!". Është pikërisht kjo mendësi që e ka nxjerrë territorin jashtë kontrollit. *** Në këtë territor të bombarduar nga interesi vetjak në dëm të interesit publik, pyetja e mëposhtme nuk është retorike: Si mund të kryhet ky operacion i vështirë në kushtet e një shoqërie kaq të decentralizuar, të hapërdarë, më shumë se demokratike e liberale, të sunduar nga kultura haxhiqamiliste e hyrjabyrjes? Duke nxjerrë ligje më të forta? Duke e "zhveshur" pushtetin lokal nga e drejta për të dhënë leje ndërtimi (shihni psh. ç'masakër është kryer mbi Tiranë, në komunën Dajt!), si dhe duke e përqendruar vendimmarrjen e ndërtimeve dhe kontrollin e territorit në një dorë, në atë të qeverisë qendrore? Apo duke shpallur një moratorium për ndërtimet, e, ndërkohë, duke ndërhyrë me forcë për të sjellë normalitetin nëpërmjet "prishjeve"? Por Shqipëria nuk është si parku "Rinia'. Kthimi në normalitet, me sa duket, qenkësh më i vështirë se kthimi në identitet, edhe pse e kundërta do të dukej, në kushte normale, punë më e kollajtë... Por kjo anomali e ky kaos ka ardhur për shkak të zhvendosjes tektonike që ka pësuar e drejta mbi pronën dhe detyrimi për të respektuar lirinë e pronën e tjetrit; është dëmtuar rëndë morali shoqëror, i cili ka mbetur pa territor. Prandaj ndërhyrjet nuk do të ishin të mjaftueshme vetëm nëpër fasada, vetëm në vendosjen e disa rregullave e planeve urbanistike ku duhet e ku nuk lejohet të ndërtohet. Kam përshtypjen se sot, teksa flitet për "territorin", fjala është kryesisht për bregun e detit, për plazhet, shumë-shumë edhe për pyjet, ujërat e detit, të liqeneve e lumenjve. Por kjo do të ishte e pamjaftueshme. Nuk është kjo pritshmëria. I duhet kthyer territori i munguar e i mohuar më së pari ligjit, besimit të qytetarit te shteti dhe te autoriteti i tij, te jeta e përbashkët në komunitet. Pa këtë reformë rrënjësore, tejet të vështirë, nuk mund të ketë normalitet... Nuk mund të vendoset kontroll i njëmendtë mbi territorin, po qe se qytetari i zakontë nuk ka pikë besimi te administrata publike, e cila për fat të keq deri më sot ka punuar e vepruar sipas parimit të kalasë së Rozafës, duke shembur natën atë që ngrihet ditën, duke rrënuar, përvetësuar e tjetërsuar, bashkë me pronën, edhe interesin publik.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›