Mbi një milion mjete rrugore në qarkullim në Shqipëri në tremujorin e dytë

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Në tremujorin e dytë të këtij viti, numri i mjeteve rrugore në qarkullim arriti në 1.002.582.
Autoveturat përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj shifre me 80,8%, ndërsa mjetet për transport të përzier dhe motorët zënë nga 5,9% secili.
Qarku i Tiranës mban peshën më të madhe me 34,8% të mjeteve në qarkullim, i ndjekur nga Durrësi me 13,6%.
Ndërkohë, qarku i Gjirokastrës dhe ai i Kukësit regjistrojnë përqindjen më të ulët të mjeteve në qarkullim, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.
Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 26.976 mjete, nga të cilat 80,9% ishin autovetura.
Edhe për regjistrimet e reja, Tirana zë vendin e parë me 44,2% të totalit. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve rrugore është rritur me 9,6%, ndërsa regjistrimet e reja kanë pësuar një rënie prej 7,3%.
Sa i përket markave më të preferuara për regjistrimet e para, “Volkswagen” mban vendin e parë me 20,1%, e ndjekur nga “Mercedes Benz” me 15,8%.

/r.e/