E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skemat mbështetëse në bujqësi – Fermerët e vlerësojnë ndihmën, kërkojnë pajisjen me dokumente pronësie

Për fermerët, ndihma që po jepet prej vitesh përmes subvencioneve në bujqësi është pozitive dhe i ka ndihmuar ata në zgjerimin e aktivitetit të tyre.

“Është bërë një punë goxha sensibilizuese gjatë kësaj periudhe për nxitjen e sa më shumë fermerëve për t’u bërë pjesë e kësaj skeme, e cila është interesante dhe me përfitime për ta.“

Megjithatë duket se për një pjesë ende mbetet sfidë pajisja me aktin e marrjes së tokës në pronësi, gjë e cila do t’u mundësonte përfitime edhe më të mëdha.

“Na pengojnë letrat e tokës, që hala nuk kanë marrë zgjidhje. Por ky është një problem mbarëkombëtar dhe shumë në disfavor të fermerëve.“

“Aplikimin e kam bërë për 70 dynymë, se më mungon dokumentacioni. Nuk kemi certifikatat pronësie. Edhe atyre që u kemi tokat me qira, disa u mungojnë.“

“Problemi kryesor qëndron te certifikimi i pronës, pra marrja e akteve dhe titujve të pronësisë.“

Në të gjithë vendin, specialistët e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural po zhvillojnë takime informuese me fermerët, me qëllim njohjen e tyre me rregullat dhe mënyrën e përfitimit të granteve mbështetëse.

Në qarkun Shkodër, skema më e kërkuar vijon të mbetet ajo e naftës pa akcizë, nga e cila kanë përfituar mbi tre mijë fermerë vitin e shkuar.

Gazetare: Merisa Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›