Mbidozë narkoze, humb jetën 3-vjeçari, prindërit denoncojnë mjekun anestezist

Një fëmijë 3 vjeçar ka humbur jetën, pas ndërhyrjes në një klinikë private dentare në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, por u bë e ditur këtë të enjte, pas kallëzimit të paraqitur në Komisariatin e Policisë numër 4 nga babai i fëmijës për mjekun anestezist Roland Xhaxho 70 vjeç.
Prindi tha se është paraqitur me fëmijën në klinikën private, ku i është thënë se për shkak të numrit të lartë të dhëmbëve të prishur ndaj fëmijës duhej të ndërhyhej, duke e vendosur në narkozë. Sipas dëshmisë , djalit i është bërë anestezi totale dhe në përfundim të procedurës, prindërit kanë marrë fëmijën dhe janë larguar drejt banesës. Por pas disa orësh, 3-vjeçari është ndjerë keq. Prindërit kanë thënë se kanë telefonuar klinikën, por nuk ju është përgjigjur njeri.
Ata janë detyruar të shkojnë në spitalin pediatrik shtetëror, ku fëmija është vendosur në repartin reanimator. Pas tre ditësh në gjendje kome fëmija ka ndërruar jetë.
Policia e Tiranës thotë në njoftim se mjeku anestezist akuzohet për mjekim të pakujdeshëm. Ai po procedohet në gjendje të lirë, ndërsa hetimet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.
Gazetare Eriselda Dyrmishi
/ rtsh /