Mbijetesa, Lushnja, skuadra që rrezikon më shumëShkumbini vendos fatin e ballshiotëve dhe fierakëve për qëndrimin në Superligë

LEONARD KARAJ (PANORAMA SPORT) - Javë kompromisesh. Tifozë vendës që duartrokasin e falënderojnë skuadrat kundërshtare. Madje, haptazi. “Teatër” futbollistik. Përqafime midis rivalëve. Por jo vetëm kaq. Ka edhe aty ku futbolli do të luhet prej vërteti dhe ku ethet e sfidave kanë nisur prej disa ditësh. E teksa vëmendja e pjesës më të madhe është drejtuar tek çifti Tirana-Vllaznia, duhet theksuar se ka edhe “luftë” pa hile, këtë herë jo për trofe në fund të tabelës. Në fakt, titulli i tyre i qëndrimit mes më të mirëve. Ndaj nuk është aspak e çuditshme t’i shikosh në fund tek festojnë sikur të kishin fituar trofeun më të lakmuar të kampionatit tonë. Pesë skuadra, nga të cilat dy do të bien direkt në Kategorinë e Parë për sezonin tjetër dhe dy të tjera do të kenë shansin të luajnë edhe nga një ndeshje “play-out”-i, ku përqindja për të qëndruar edhe për një sezon në Superligë është mëse evidente. Vetëm njëra nga këto 5 skuadra do të ketë mundësinë të shkojë me pushime, sikundër edhe 7 skuadrat e tjera të kësaj Superlige.
Shanset
S’është e thënë të jesh sot në vendin e 8-të në renditje, për të besuar se ke shpëtuar. Dhe anasjelltas, një Bylis i vendit të fundit, duke parë kalendarin, duket se ka më tepër shanse se Partizani e Elbasani. Shanse që nuk janë assesi të barabarta. Diku janë më të qarta, diku krejt të zymta. Diku do të luhet për statistikë, diku me shpirt për një vend mes elitarëve. Besojeni, do të ketë edhe ofendime, batuta, si dhe akuza në drejtim të atyre që do bëjnë sikur do luajnë dhe atyre që realisht do të kujtohen në dy javët e fundit për të mbrojtur vendin e tyre në Superligë. Partizani, Apolonia, Elbasani, Lushnja apo Bylisi. Në pamje të parë lushnjarët janë më të dënuarit, ndërsa Apolonia, të paktën në teori, ka shanse të mjaftueshme për të qëndruar në Superligë.
Lushnja
Në fakt, e komplikoi gjithçka vetë në javën e 31-të të kampionatit pas barazimit pa gola në fushën e vet me Elbasanin. Një fitore do ta kategorizonte në skuadrat me më shumë probabilitet për të qëndruar në Superligë edhe për sezonin e ri. Tjetër gjë tani. Kalendari i ka vënë përballë as më shumë dhe as më pak kryesuesen e kampionatit, Vllazninë, që assesi nuk do të lëshojë pè në këtë fund sezoni, gjë që do t’i jepte mundësi Tiranës të vihej sërish në krye. Le pastaj faktin se në javën e fundit në sfidën e titullit, Tirana-Vllaznia, edhe një pikë më shumë do të ishte një favor mjaft i madh. Në të dyja takimet e këtij sezoni, shkodranët janë treguar superiorë ndaj lushnjarëve, duke i fituar të dyja ndeshjet: java 10, Lushnja-Vllaznia 1-4 dhe java 21, Vllaznia-Lushnja 2-0. Por konsideruar skenarin më të mundshëm, Lushnja pritet që ta luajë fatin e saj në javën e 33-të, kur në “Roza Haxhiu” do të presë Partizanin. Një trepikësh ndaj “demave të kuq” nuk mund të thuhet se do t’i jepte përfundimisht Superioren kësaj skuadre, por të paktën një vend në “play-out” do të ishte mëse i mundshëm. Natyrisht që gjithçka do të varej edhe nga sfidat e rivalëve, ku më së shumti Bylisi, i cili mban vendin e fundit me 31 pikë, ka jo pa shanse për të qëndruar në Superligë.
Elbasani
Gjithçka varet nga ndeshja me Partizanin. Edhe një barazim do t’u jepte goxha shpresa verdhebluve të Ramadan Shehut, duke llogaritur që në ndeshjen e fundit do të luajnë në “Ruzhdi Bizhuta” përballë Teutës, pa asnjë pretendim. Aktualisht Elbasani ndodhet në vendin e dhjetë në renditje, me 32 pikë, ku më së shumti kanë qenë barazimet, plot 14, që kanë vulosur këtë pozicion për elbasanasit. Skuadra ka ndërruar dy trajnerë (Josa, Sejdini) dhe tashmë drejtohet nga Ramadan Shehu, i cili është munduar t’i japë një tjetër impakt lojës së kësaj skuadre, por gjithsesi pa e gjetur ende ilaçin e duhur. Disa futbollistë kanë bojkotuar seancat stërvitore gjatë javëve të fundit edhe me pretekstin se bashkia, e vetmja pronare për momentin pas burgosjes së presidentit Arben Laze, nuk ka dhënë rrogat. Skenari më i mirë do të ishte fitore në dy takimet e fundit, teorikisht e arritshme. Mirëpo skenari më i mundshëm për Elbasanin është barazimi me “demat e kuq” dhe fitorja ndaj Teutës në ndeshjen e fundit, çka do t’i jepte mundësi që më së paku të luante në play-off” me një nga skuadrat e Kategorisë së Parë.
Partizani
Nuk është aspak komod. Madje rrezikon shumë në rast se nuk arrin të fitojë këtë javë në përballjen direkte me Elbasanin në “Qemal Stafa”. Skuadra e Shpëtim Duros ndodhet në vendin e tetë në renditje, me vetëm një pikë më shumë se ndjekësit, por fakti se në dy javët e fundit do t’i duhet të përballet pikërisht me dy skuadra që luajnë për qëndrimin në Superligë, e bën edhe më interesant reagimin e “demave të kuq”. Një trepikësh ndaj verdhebluve do të thoshte një siguri më e madhe drejt sfidës së fundit në “Roza Haxhiu”, ku të kuqtë mund të luajnë edhe për një barazim. Në dy përballjet e para, Partizani ka qenë më superior, të paktën në ndeshjen në Elbasan. Sepse arriti të fitonte (java 22) falë një goli të të riut Bega, madje duke luajtur për më tepër se një pjesë loje me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Arbër Capës. Ndërsa në përballjen e fazës së parë (java 11) Partizani-Elbasani, 2-2, më shumë se rezultati i takimit, u fol për gafat e arbitrit ndërkombëtar Albano Janku. Në fillim ishte një penallti që nuk dha për të kuqtë për një faull ndaj Bakajt. Më pas, goli i Elbasanit shënohet pas një faulli dhe në fund nuk fishkëllen asgjë, pasi Arjan Sheta ndërhyn ndaj Marius Ngjelës. Madje, kthehet nga anësori dhe ia lë gjithçka në dorë atij. Genc Maloku heziton dhe bën që të shpërthejë një revoltë e vërtetë e të kuqve. Për hir të së vërtetës nuk ishte penallti, pasi faulli qe jashtë zonës, por duke iu referuar moviolës ishte të paktën faull dhe karton i kuq, çka i jepte mundësi “demave” të ishin në superioritet. Gjithsesi, fati i Partizanit varet shumë edhe nga sfidat në Peqin e Kavajë, ku Bylisi dhe Apolonia do të luajnë kartat e fundit të mbijetesës, por këtu duhet marrë parasysh edhe impenjimi i vendësve, të cilët luajnë thjesht për statistikë.
Apolonia
E ka më lehtë se gjithë të tjerat. Fakt është se dy ndeshjet e fundit fierakët do t’i luajnë përballë dy skuadrave që realisht e kanë përfunduar kampionatin e tyre dhe zbresin në fushën e lojës veçse për statistikë. Besa e Xhat Bizhdilit, e renditur në vendin e 6-të me 40 pikë, nuk rrezikon rënien, ashtu sikundër edhe nuk ka shanse të pretendojë për një vend të Kupat e Evropës. Kjo gjë e bën edhe më thjeshtë sfidën e kësaj jave për fierakët, të cilët të galvanizuar edhe nga fitorja e fundit në “Loni Papuçiu” ndaj Teutës, do të shfrytëzojnë edhe faktin se vendësit do të jenë në emergjencë të vërtetë. Shumica e titullarëve të këtij sezoni ose janë larguar, ose janë të dëmtuar, kështu që në Kavajë pritet të zbresë një skuadër relativisht e re, pa asnjë pretendim për rezultat. Ndërkohë, dy sfidat e mëparshme në fazën e parë e të dytë kanë përfunduar nga një fitore shtëpiake për secilën (Apolonia-Besa 3-1; Besa-Apolonia 2-1). Por vlen për t’u theksuar se përballja në Kavajë u kontestua shumë nga bardhejeshilët. Java e 22-të; pas golit të parë të shënuar nga “miqtë” barazon afrikani Nana për Besën. Dhe vetëm dy minuta më vonë haitiani me pasaportë franceze, Herbi Fortunat, shënoi golin e fitores për vendësit. Por goli i tij u kontestua fuqishëm nga futbollistët e Apolonisë, aq sa ndeshja u ndërpre për rreth 7-8 minuta. Sipas tyre dhe nga pamjet filmike dukej qartë që sulmuesi i verdhezinjve, në çastin e dërgimit të topit në rrjetë shtynte jo vetëm portierin e Apolonisë, por edhe mbrojtësin, duke i “plasur” edhe këta të fundit bashkë me topin në rrjetë. Por arbitri kryesor Sokol Çekaj sinjalizoi gol në favor të vendësve, duke u hequr një pikë të artë fierakëve në atë takim. Pavarësisht kësaj, duke iu referuar gjithnjë kalendarit, Apolonia duket shumë më e favorizuar, sepse në javën e fundit do të luajë në fushën e vet ndaj Shkumbinit. Gjashtë pikë teorike të fierakëve, duke parë edhe përballjet direkte të rivalëve për mbijetesë, thuajse e lënë këtë skuadër edhe për sezonin e ri në Superligë.
Bylis
Ka qëndruar më së shumti në vendin e fundit të renditjes, por këtij Bylisi kalendari i lejon të shpresojë goxha, edhe pse aktualisht ka 1 pikë më pak se katër skuadrat e tjera që luftojnë për mbijetesë. Por duhet theksuar, se realisht ballshiotëve u bëjnë punë vetëm dy fitore në dy takimet e fundit, të cilat teorikisht mund të arrihen. Këtë fundjavë skuadra e presidentit Kapllanaj do të jetë mysafire në Peqin, përballë Shkumbinit, që luan vetëm për statistikë. Në dy sfidat e para, Bylisi ka humbur në Peqin në javën e parë të fazës së parë 4-1 dhe ka fituar në javën e 12-të të fazës së dytë në Ballsh 3-1. E lehtë mund të konsiderohet edhe ndeshja e fundit me Dinamon, e cila që në përballjen e javës së 31-të luajti me shumë futbollistë të rinj, pasi kampionati për të ka mbaruar. Blutë kanë zënë vendin e tretë në renditje dhe nuk rrezikohen nga asnjë skuadër. Ndaj Dinamos ballshiotët kanë fituar në fushën e tyre në javën e 11-të, 1-0 dhe janë mundur thellë në javën e 22-të në Tiranë, me rezultatin 5-1. Gjithsesi, dy fitore në këto sfida do t’i jepnin kësaj skuadre mundësinë që më së paku të luajë ndeshjet “play-out”. Çdo rezultat tjetër do të thoshte rënie e menjëhershme nga kategoria.
Apolonia
Fierakët do luajnë ndaj Besës dhe Shkumbinit. Dy sfidat e mëparshme, ajo në fazën e parë dhe ajo në të dytën kanë përfunduar me nga një fitore shtëpiake për secilën (Apolonia-Besa 3-1; Besa-Apolonia 2-1). Ndërsa me peqinasit ka humbur në të dyja takimet, në transfertë 2-0 dhe në fushën e vet 0-1.
Bylisi
Ballshiotët do të luajnë me Shkumbinin dhe Dinamon në sfidat e fundit të kampionatit. Ndaj peqinasve, Bylisi ka fituar në Ballsh 3-1 në fazën e dytë dhe është mundur që në javën e parë të fazës së parë 4-1 në Peqin. Ndërsa me Dinamon kanë fituar në Ballsh 1-0 (java 11) dhe janë mundur në “Qemal Stafa” 5-1 (java 22).
Elbasani
Do të luajë me Partizanin dhe Teutën në dy takimet e fundit të këtij sezoni. Në dy përballjet me Partizanin ka barazuar në “Qemal Stafa” 2-2 në fazën e parë dhe ka humbur në shtëpi 0-1 në fazën e dytë. Ndërsa me Teutën njeh një humbje në shtëpi, 0-1, në fazën e parë (java 7) dhe një fitore në transfertë, 1-2 (java 18).
Partizani
Do luajë ndaj Elbasanit dhe Lushnjës në dy takimet e fundit. Një trepikësh ndaj verdhebluve do të thoshte një siguri më e madhe drejt sfidës së fundit në “Roza Haxhiu”, ku të kuqtë mund të luajnë edhe për një barazim. Duhet theksuar se Partizani ka qenë edhe një nga ekipet ndaj të cilit arbitrat kanë gabuar më shumë.
Lushnja
Lushnjarët do të luajnë ndaj Vllaznisë së Shkodrës dhe Partizanit në dy takimet e fundit. Me Vllazninë njohin vetëm humbje. Në javën e 10-të, 1-4 në fushën e vet dhe në javën e 21-të, 2-0 në Shkodër. Ndërsa me Partizanin ka humbur në javën e parë 0-1 në shtëpi dhe ka barazuar pa gola në javën e 12-të në “Qemal Stafa”.
5
Skuadra luftojnë aktualisht në Superligë për mbijetesë. Duke iu referuar kalendarit, Apolonia dhe Bylisi (gjithmonë nëse i fitojnë që të dyja ndeshjet e radhës) janë favorite për të qëndruar, ndërkohë që Lushnja është skuadra më e rrezikuar (luan ndaj Vllaznisë dhe Partizanit).
6
Fitore ka koleksionuar këtë sezon Elbasani, ekip që rezulton të ketë numrin më të vogël të fitoreve. Verdheblutë kanë një numër rekord barazimesh, plot 14. Kurse përsa i përket humbjeve Elbasani ka vetëm 11 përkundrejt 17 të Apolonisë.
2
Skuadra, sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit, bien direkt nga Kategoria Superiore (vendet 11 dhe 12), ndërsa dy të tjera, vendet 9 dhe 10, do të luajnë ndeshjet e “play-out”-it ndaj skuadrave që do të renditen në vendin e 3-të dhe të 4-t në Kategorinë e Parë.
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Vllaznia 31 19 6 6 47 26 63
2. Tirana 31 17 11 3 53 24 62
3. Dinamo 31 14 10 7 46 28 52
4. Teuta 31 12 8 11 28 28 44
5. Shkumbini 31 12 8 11 31 33 44
6. Besa 31 10 10 11 31 35 40
7. Flamurtari 31 8 12 11 26 31 36
8. Partizani 31 8 9 14 25 34 33
9. Apolonia 31 9 5 17 31 42 32
10. Elbasani 31 6 14 11 24 35 32
11. Lushnja 31 7 11 13 23 34 32
12. Bylisi 31 7 10 14 23 38 31
JAVA 32/16.05.2009
Dinamo-Tirana
Vllaznia-Lushnja
Shkumbini-Bylis
Besa-Apolonia
Teuta-Flamurtari
Partizani-Elbasani
JAVA 33/ 23.05.2009
Tirana-Vllaznia
Bylisi-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Flamurtari-Besa
Elbasani-Teuta
Lushnja-Partizani
“Kushtetuta” e Superligës
Përcaktimi i renditjes së klubeve të futbollit për të gjitha kategoritë, për dhënien e titujve që ndahen në fund të kampionatit, klasifikimin përfundimtar, ekipet që ngjiten ose bien dhe ato që kanë të drejtën e pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s, do të vendoset si më poshtë. Në rast pikësh të barabarta ndërmjet 2 ose më shumë skuadrave, veprohet duke mbajtur parasysh këtë rregullore:
1) Pikët e grumbulluara si rrjedhojë e takimeve direkte ndërmjet këtyre dy skuadrave.
2) Diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar në takimet direkte.
3) Diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë gjithë kampionatit.
4) Numrin më të madh të golave të shënuar gjatë gjithë kampionatit.
5) Me short
Bien direkt nga kategoria dy klubet e futbollit, të cilat në përfundim të kampionatit janë renditur në vendet 11 dhe 12. Klubet që në përfundim të kampionatit janë renditur në vendet 9 dhe 10 do të zhvillojnë një ndeshje “play-out” me ato klubet, të cilat në përfundim të kampionatit të Kategorisë së Parë janë renditur në vendin e 3-të e të 4-t. Kështu, 9-ta do të luajë me 4-n, ndërsa 3-shi me 10-n.
Trajnerët, sa kanë ndikuar ndryshimet në këto pankina
Jo gjithmonë ndryshimi i njëshit të pankinës ka marrë për mirë në pesë skuadrat që aktualisht luftojnë për mbijetesë. Fakt është se Bylisi (4 trajnerë të ndërruar gjatë këtij sezoni), ndonëse ka pretenduar më shumë nga teknikët e vet, sërish gjendet në vendin e fundit të renditjes. Vetëm Hysen Dedja ka mundur të drejtojë më gjatë se të tjerët te kjo skuadër (25 javë), ndërsa Sejdini, Dume dhe tani Haxhiu,nuk kanë “dirigjuar” më shumë se tri javë këtë skuadër. E njëjta histori pak a shumë edhe për Lushnjën dhe Elbasanin. Edhe këto skuadra që në fillim të sezonit kishin objektiv qëndrimin në Superligë (Lushnja) dhe Kupën e Shqipërisë (Elbasani). Por as Saimir Malko, Vasil Bici e së fundmi Ilir Gjyla te Lushnja dhe as Mirel Josa, Faruk Sejdini e Ramadan Shehu te Elbasani nuk kanë mundur t’i udhëheqin drejt objektivave të kërkuara këto skuadra. Disi më ndryshe mund të shihet ndërrimi i pankinave te Apolonia dhe Partizani. Me largimin e Gert Haxhiut dhe ardhjen e serbit Karishik, fierakët ndryshuan në fizionomi të lojës. Ndoshta nuk morën pikët e mundshme, por realisht skuadra ndryshoi goxha faktikisht. Ndërsa te Partizani ndërrimi i Hasan Likës me Shpëtim Duron solli një revolucion të vërtetë. Qe pikërisht falë Duros që “demat e kuq” nuk u shpërbënë totalisht në merkaton e janarit dhe tashmë gjenden në vendin e tetë, teksa Lika e pati lënë këtë skuadër në vendin e fundit të renditjes dhe me një lojë shumë të dobët.
Bylis, 4 trajnerë
Farruk Sejdini (nga java 1-3)
D. Dume (java 4)
Hysen Dedja (nga java 5-30)
Gert Haxhiu (nga java 31-33)
Lushnja, 3 trajnerë
Saimir Malko (nga java 1-8)
Vasil Bici (nga java 8-17)
Ilir Gjyla (nga java 18-në vazhdim)
Elbasani, 3 trajnerë
Mirel Josa (nga java 1-19)
Farruk Sejdini (nga java 20-27)
Ramadan Shehu (nga java 28 ne vazhdim)
Apolonia, 2 trajnerë
Gert Haxhia (nga java 1-9)
Esad Karishik (nga java 10-në vazhdim)
Partizani, 2 trajnerë
Hasan Lika (nga java 1-8)
Shpëtim Duro (nga java 8-në vazhdim)
E Premte, 15 Maj 2009