Mbillen fidanë të rinj brigjeve të Bunës, të rinjtë e “Eko Mendje” në aksion kundër erozionit

Në kuadër të Muajit të Pyllëzimit, dhjetëra fidanë pishe janë mbjellë së fundmi përgjatë brigjeve të lumit Buna.
Aksioni u organizua nga shoqata mjedisore “Eko Mendje”, me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve, dhe u përqendrua në një nga zonat më të rrezikuara nga erozioni.
Drejtuesi i “Eko Mendje”, Mirsad Basha, u shpreh, “Ishte një aktivitet ku u mbollën rreth 60 fidane pishe. Kjo iniciativë u mor me banorët e zonës sepse ata e njohin territorin dhe janë më të prekur nga kjo dukuri.”
Përveç brigjeve të Bunës, aksioni i pyllëzimit do të vijojë gjatë muajit dhjetor edhe në zona të tjera të Bashkisë Shkodër.
“Gjatë monitorimit që i bëmë lumit, deri në grykëderdhjen e Bunës, kemi evidentuar disa zona që kanë pasur erozione dhe shkarje dheu. Shpresoj që të bëjmë një aksion për mbjelljen e 2 mijë fidanëve, ashtu sikurse e kemi parashikuar.”
Nisma synon jo vetëm përmirësimin e gjendjes mjedisore, por edhe ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve natyrore dhe parandalimin e degradimit të tokës.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/