Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Berisha: PD në 2025-ën merr pushtetin

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se ky është shtatori i fundit që e gjen në opozitë këtë forcë politike.
“PD në vitin 2025 merr pushtetin. Rotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin, sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër. I them këto, sepse kemi hyrë në muajin e nëntë përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj ne kemi përballjen finale kundër së keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti, poshtëroi dhe dëboi masivisht shqiptarët”, u shpreh Berisha.
Këto vite, theksoi Berisha, PD-në e plagosën jo pak, kjo nuk mohohet.
“E vërteta është se këto vite me sulmin që na u bë, ne kemi luftuar më shumë në mbrojtje se sa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, programin tonë, pluralizmin politik që po jepte shpirt në Shqipëri, duhet të mbronim opozitën shqiptare. Por sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar. Sot ne jemi PD e Shqipërisë më e fortë se kurrë”, tha ai.
Berisha foli për ekzekutim publik të votës së lirë pa hyrë në kuti.
“Për të përligj ekzekutimin publik të votës pa hyrë në kuti, Edi Rama mobilizon dhe racën më të shpifur njerëzore, opozitarët e opozitës, të cilët si enukë psikikë pas çdo procesi kallp zgjedhor festojnë dhe bërtasin në kor: se zgjedhjet i fitoi Edi Rama dhe Tavot e tij dhe i humbi opozita, se ajo e tilla e atilla nuk fiton”, tha ai.
/r.e/