Mbledhja e kabinetit dhe grupit të PS, Rama: Në historinë e SPAK vetëm 10 akuza për korrupsion

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen me kabinetin qeveritar dhe grupin parlamentar socialist, deklaroi se në historinë e SPAK numri i akuzave për korrupsion është i kufizuar, duke iu referuar shifrave zyrtare.
Sipas Ramës, në historinë e SPAK ka vetëm 10 akuza për korrupsion, 16 për “shpërdorim detyrë” dhe 15 për “pabarazi në tendera dhe ankande publike”.
Ai theksoi se këto janë të dhëna të bëra publike nga Ministria e Drejtësisë, duke shtuar se, sipas tij, jo të gjitha statistikat janë të publikuara në mënyrë transparente.
“Në historinë e SPAK, ka vetëm 10 akuza për korrupsion. Në gjithë historinë. 16 për shpërdorim detyrë, këto janë shifra të Ministrisë së Drejtësisë sepse për fat të keq nuk janë të gjitha të publikuara në mënyrë transparente. Rreth 15 raste për pabarazi në tendera dhe ankande publike, 10 për korrupsion., Flas akuza, jo dënime”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë dhe të dytë të qeverisjes socialiste, duke argumentuar se kjo tregon një rritje të përpjekjeve kundër korrupsionit dhe jo domosdoshmërisht rritje të fenomenit.
“Tani, çfarë është e rëndësishme në këto të dhëna? 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë e të dytë.
Pra, një logjikë e thjeshtë të thotë se jo se sa më shumë në rrimë në qeveri, aq më shumë ka korrupsion. Por, sa më shumë ne jemi në qeveri, aq më shumë luftohet me korrupsionin”, u shpreh Rama.