Mbledhja e kryesisë së PD, Berisha: Nuk ka përçarje. S’janë demokratë ata që bëjnë zhurmuesin në favor të Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar këtë të diel (14 dhjetor) mbledhjen e kryesisë së PD-së, e cila u zhvillua një ditë më parë. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ai hodhi poshtë zërat për përçarje brenda partisë. Berisha e cilësoi mbledhjen “jashtëzakonisht të rëndësishme dhe pozitive”, teksa iu referua edhe atyre që i quajti “zhurmues”, për të cilët tha se po i shërbejnë indirekt mazhorancës.
“Ju siguroj se mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Rendi i ditës së kësaj mbledhje ishte qëndrimi i PD-së pas vendimeve shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit të Edi Ramës, ishte thirrja e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, për vonesën e të cilit ka patur kritika, por ajo vonesë ka patur ligje vetëm me një faktor, raporti ndërkombëtar për zgjedhjet, pasi Edi Rama po bënte një betejë të egër kundër vëzhguesve dhe do përdorte çdo lloj diskutimi që do bënim ne brenda për t’u thënë atyre që fajin e kanë këta vetë dhe jo unë që u vjedh votat. Nuk ka një përçarje. Po, pas zgjedhjeve të PD-së pati të quajtur demokratë që hanë turpin me bukë dhe vrapuan e u punësuan në administratën e krimit, pati të tjerë të cilët vendosën të mos merren më me politikë, por të ndjekin jetën e tyre, pati të tjerë që flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë. Unë ju them se kjo parti ka një qëllim: idealin tuaj të lirisë, rikthimin e votës së lirë dhe fitoren e PD. Kjo qeveri nuk do të qëndrojë për kontratat e asnjë njeriu. Ata që zgjedhin për t’u bërë zhurmues në favor të Edi Ramës, duke mashtruar, duke manipuluar elementë që kanë punuar haptazi kundër PD, kanë punuar për deputetë të PS-së, ata janë fals, nuk janë demokratë, por kjo është koha e misionarëve”, tha Berisha.
Mbledhja e djeshme e kryesisë së PD-së u shoqërua me debate e tensione, ku nënkryetari i kësaj partie, Agron Gjekmarkaj, ofroi edhe dorëheqjen nga funksioni i tij, pasi e konsideroi firmosjen e deputetëve demokratë për kandidimin e Endri Shabanit si Avokat i Popullit një “gabim politik” dhe e ofroi dorëheqjen si akt ndjese. Megjithatë, kërkesa e tij nuk u pranua nga anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e tjerë të partisë. Pas mbledhje, që zgjati 5 orë, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, shprehu zhgënjim që fokusi i Kryesisë u zhvendos nga protesta kundër qeverisë te çështjet e brendshme të partisë.
/rtsh.al/