Mbledhja e qeverisë / Demo: Tre bashki të tjera përfshihen në Paketën e Maleve, brenda majit përfundojnë zonat prioritare

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, komunikoi vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë të datës 6 maj, duke bërë të ditur se tre bashki të tjera janë përfshirë në Paketën e Maleve.
Në deklaratën për mediat, Demo tha se janë miratuar propozimet për zonat prioritare, duke shtuar në listë Bashkinë Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Sipas tij, tashmë numri i bashkive të përfshira ka kaluar 2/3 e totalit, ndërsa në pjesën më të madhe të tyre ka avancuar faza e aplikimit nga qytetarët në kuadër të zhvillimit lokal.
“Janë miratuar tre bashki të reja përsa i përket Paketës së Maleve. Propozimet e ardhura përsa i përket zonave prioritare janë miratuar për Bashkinë Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Tashmë numri i bashkive ka kaluar 2/3 dhe në pjesën më të madhe të bashkive ka avancuar faza e aplikimit nga qytetarët përsa i përket Paketës së Maleve në kontekstin e zonave prioritare dhe atij të zhvillimit lokal.”
“Javët që kemi përpara do të jenë me bashkitë e fundit, dhe brenda muajit maj do të përfundojmë të gjitha bashkitë e vendit me zonat prioritare të miratuara. Ditë pas dite, vetë bashkitë janë në fazën e miratimit të aplikimeve nga këshillat bashkiakë,” – u shpreh Demo.
/rtsh.al/