E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e qeverisë ‘Rama’: Reforma rrënjësore, integritet, transparencë

TIRANE- Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama mblodhi sot për herë të parë në Vlorë, në qytetin ku edhe u zgjodh deputet, të propozuarit e mazhorancës së re qeverisëse për kabinetin qeveritar.

“Vlorë, takim dy ditor i qeverisë së rë. Reforma rrënjësore, shpirt skuadre, qytetari europiane në komunikim. Kurajo integritet transparencë”, njoftoi sot Rama në Twitter.

Takimi me ministrat e rinj nisi rreth ores 15:00 tek hotel 'New York', një ambient privat ky pranë zonës së "Ujit të Ftohtë".  Ministrat e propozuar nga LSI pohuan gjithashtu se do ishin në këtë takim të parë me kryeministrin e zgjedhur Rama.

Programi qeverisës i të majtës, vendosja e piketave të drejtimit të vendit, kontributi i çdo ministri dhe i çdo dikasteri, por edhe çështje të brendshme të koalicionit qeverisës, bashkëpunimit dhe koordinimit të partive në qeverinë Rama, mësohen se do jenë në qendër të takimit, që do të zgjasë dy ditë.

Nga takimi, me dyer të mbyllur për mediat, pritet të mësohen edhe detyrat e para të qeverisjes Rama, një nga të cilat, siç është pohuar tashmë, “vënia nën kontroll e territorit nga ndërtimet pa leje”, pritet të detajohet në këtë takim të parë të kabinetit të ri qeveritar, të drejtuar nga Edi Rama.

PËRFUNDON MBLEDHJA E QEVERISË ‘RAMA’ PA DEKLARATA
Ora 22:30 Përfundon mbledhja e qeverise se re në Vlorë drejtuar nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama. 
Mbledhja ka vijuar me dyer të mbyllura për rreth 4 orë, ndërkohë që pas përfundimit të saj nuk ka pasur asnjë deklaratë nga ana e pjesëmarrësve. 

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama mblodhi sot për herë të parë në Vlorë, në qytetin ku edhe u zgjodh deputet, kabinetin e ri qeveritar. Takimi me ministrat e rinj nisi rreth orës 15:00 tek hotel 'New York', pranë zonës së "Ujit të Ftohtë. 

"Sapo mbaruam! Nje dite e gjate pune qe iku si nje minute permes diskutimesh plot ide te reje dhe shume energji pozitive. Neser vazhdojme", shkruajti Rama ne rrjetin social "Twitter" pas mbledhjes.

Mbledhja pritet të vijojë sërish nesër. 

PËRFUNDON PJESA E PARË E MBLEDHJES: RAMA: MBRESA POZITIVE
Ora 18:30 Pjesa e parë e mbledhjes se qeverisë së re “Rama” përfundoi rreth orës 18:30.

Kryeministri i Zgjedhur Edi Rama ka shprehur mbresat e tij pozitive për mbledhjen në një postim në rrjetin social ‘Twitter”, teksa ka bërë publike se u paraqiten planet e ministrave për qeverisjen e re.

“Shume i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve te ministrave dhe diskutimi i ideve ne grup”, shkruan Rama. 

Kjo është hera e parë që z. Rama pati përballë të gjithë ministrat e emëruar prej tij më 31 korrik, pa marrë ende zyrtarisht mandatin.
(d.b/m.a/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Basha: Rama takim privat në Vlorë për të ndarë tortën e pushtetit Berisha-gazetarëve: Nisuni dhe ju në Vlorë, por merrni rroba banjo me vete

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›