Mblidhet Këshilli Bashkiak, shqyrtohen 7 projekte

Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet sot për të shqyrtuar 7 projekte të kryebashkiakut Basha. Këto projekte sipas bashkisë së Tiranës do të bëjnë të mundur ndërtimin e kryeqytetit, përmirësimin e shërbimeve të qytetit, krijimin e vendeve të punës dhe përfshirjen e qytetarëve në qeverisje.
Në thelbin e tyre këto projekte synojnë zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e agjensisë për mbrojtjen e konsumatorit.
Një nga projektet të cilat do të paraqiten sot në Këshillin Bashkiak do të jetë edhe krijimi i një linje të re autobuzi që do të shtrihet nga qendra deri në Qytetin Studenti e cila do t`i krijojë lehtësi studentëve në qarkullim dhe do t`ju ofroj studentëve shërbim në përputhje me kartën bashkiake të studentit.
Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizimin e procesit të hartimit të planit urbanistik të qytetit ku në qëndër të tij do të jetë përpjekja për të përmirësuar trafikun dhe parkimin, krijimin e më shumë hapësirave të gjelbërta për qytetarët si dhe rritjen ekonomike.
Një tjetër projekt që pritet të shqyrtohet sot në këshillin bashkiak është edhe krijimi i komisionit për ndërtimin e xhamisë së re ku do të përfshihen edhe qytetarët ndërsa në përbërje do të ketë drejtues të komunitetit musliman.
Gjithashtu sot do të paraqitet në këshill edhe një projekt që ka të bëjë me fuqizimin e Agjensisë për Mbrojtjen e Konsumatorit nga spekulimet dhe mashtrimet.
Disa nga projektet e tjera janë edhe ai i rehabilitimit të qëndrës së qytetit, krijimi I bordit për artin dhe kulturën dhe përmirësimin e shërbimit në kopshte dhe çerdhe.
Ndërkohë ditën e djeshme u mblodhën edhe këshilltarët bashkiakë për të vendosur edhe qëndrimin që do të mbajnë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës.