E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mblidhet Konferenca e Kryetarëve, nuk ka dakordësi për kalendarin

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Mbledhja shqyrtoi projektprogramin e punës së Kuvendit për periudhën 29 shtator – 7 nëntor 2025 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 29 shtator – 17 tetor 2025.

Seancat plenare ishin planifikuar të zhvilloheshin në datat 9 tetor dhe 16 tetor 2025.

Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.

Në fjalën e tij kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi sërish nga Kryeparlamentari Niko Peleshi përsëritjen e seancës së 18 shtatorit ku u miratua programi i qeverisë dhe përbërja e Këshillit të Ministrave në 25 minuta seancë, pa u zhvilluar debat.

Opozita ka kërkuar Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme.

“Kemi sjellë edhe një herë kërkesën për përsëritjen e seancës së 18 shtatorit. Kalimi pa debat, kemi arsyetuar se është në shkelje të Kushteturës dhe Rregullores”, tha Bardhi.

Gjithashtu Bardhi tha se “kemi dorëzuar edhe një kërkesë për mocion me debat për programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme”.

“Në bazë të rregullores do duhej që ky mocion me debat të ishte përfshirë në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve”, tha Bardhi.

Bardhi tha më tej se është e pavend dhe në shkelje të Rregullores parashikimin që çështje të ndryshme apo raporte të institucioneve kushtetuese të kalojnë në dy komisione.

“Kjo është e pavend, pasi nuk mund të raportohet në dy komisione. Nuk ka kuptim, fjala vjen që Prokurori i Përgjithshëm, të raportojë në dy komisione pastaj dhe në Kuvend. Ju keni bërë ndryshime në disa nene të Rregullores, por keni harruar nenin që rregullon këtë çështje”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se Kuvendi ka miratuar fushën e përgjegjësisë së komisioneve.

“Modeli i ndjekur është një model që funksionon në shumë parlamente të vendeve anëtare të BE. Është normale që Komisioni i Nismave Qytetare dhe mbikëqyrjes institucionale të përfshihet në raportimin e institucioneve të pavarura, në mbledhje të përbashkëta. Nenet ndërlidhen, nuk është në vakuum neni 103, po ndërlidhet. Kemi nenin 37 të Rregullores (mbledhje e përbashkët) që zgjidh çështjen e mbledhjeve të përbashkëta”, u shpreh Balla.

Balla tha më tej se raportimet e Institucioneve të Pavarura ndër vite kanë lënë shumë për të dëshiruar.

“Kjo mënyrë raportimi nuk do jetë një herë në vit, por duhet të jetë periodike. Në këtë fazë ku ndodhemi në procesin e integrimit në BE, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ngrihet në lartësinë e kërkuar, duke e bërë procesin e mbikëqyrjes. Ka ardhur koha ta rishohim nenin 103 të Rregullores.

“Edhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian duhet riparë nën dritën e ndryshimeve. Duke përmbyllur fjalën time mendoj që propozimet janë të mira, me një saktësim, që duhet ta sqarojë kryetari i Komisionit të Ligjeve, që lidhet me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Mjetet e Informimit, sipas sugjerimit të kryetarit të grupit parlamentar të PD”, tha Balla.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›