E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet REPOBA: Për herë të parë do të kryhet regjistrimi i popullsisë në bazë etnie

 
Sot, nën kryesimin e ministrit të Shtetit Genc Pollo, u mblodh Komisioni Qendror per Regjistrimin e Popullsise dhe Banesave (REPOBA), i cili përbehet nga 12 ministra, si dhe zyrtarë e specialistë të fushës. Detyra e këtij komisioni  është të drejtojë Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe të Banesave të vitit 2011, i  cili do të japë një pamje aktuale dhe të saktë të realitetit.
 
Pyetesori  miratohet sot në parim nga Komisioni dhe, pas një konsultimi 6- mujor, do të aprovohet përfundimisht.
 
Gjatë kësaj mbledhjeje, Ministri Pollo tha:
 
“Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm, që qeveria do të ndërmarrë në vitin 2011, është një aktivitet që i shërben mirëqeverisjes, zhvillimit institucional të saj, jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe që do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet. Sot do të miratohet në parim nga Komisioni pyetësori për regjistrimin e popullsisë dhe pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht. Por risia këtë vit në këtë pyetësor është që përmban, për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare. Ky proces do të kryhet në mënyrë shumë profesionale, nga INSTAT dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. është një operacion që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara”
 
Që prej Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave në Shqiperi të vitit 2001 kushtet politike, ekonomike dhe sociale në vend kanë ndryshuar, falë procesit të zhvillimit social-ekonomik të vendit. Lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë lëvizje demografike të mëdha dhe ne ndryshim të të dhënave statistikore.
 
Regjistrimi i ri i Popullsisë dhe Banesave 2011, vjen si nevojë e domosdoshme dhe prioritare për Qeverinë Shqiptare. Ky regjistrim është thelbësor, për përcaktimin e qëllimeve ekonomiko-sociale dhe planet e zhvillimit në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe për projektet e kooperimit multilateral dhe bilateral. Gjithashtu, Regjistrimi do të ketë kontributin e tij të padiskutueshëm në procesin e vazhdueshëm të demokratizimit dhe zbatimit të vetë-qeverisjes lokale.
 
Qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë është të japë një panorame aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Por, në rastin e Shqipërisë, Regjistrimi duhet të jetë gjithashtu edhe një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale të popullsisë sipas vrojtimeve. Regjistrimi i Popullsisë do të jetë një investim i rëndësishëm afat-gjatë në të gjithë sistemin statistikor të vendit përsa i përket kapacitetit dhe ndërtimit institucional.
 
Projekti i Regjistrimit ka për qëllim sigurimin e informacionit bazë, në formën e të dhënave elektronike individuale, të cilat janë thelbësore për ndërtimin institucional, zhvillimin demokratik dhe qeverisje të mirë të Shqipërisë.
 
Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë, si demografike ashtu dhe social-ekonomike, në nivel kombëtar, lokal dhe rajonal për thjeshtimin e formulimit, monitorizimit dhe vlerësimit të planeve dhe programeve të zhvillimit social-ekonomik si dhe për qëllime të tjera administrative dhe studime kërkimore-shkencore.Ai gjithashtu do të konribuojë në forcimin e kapacitetiteve për zhvillimin e një infrastrukture në funksion të sistemit statistikor, në përputhje me standartet dhe rekomandimet Evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Ky projekt madhor, financohet kryesisht nga Qeveria Shqiptare si edhe nga disa donatorë të ndryshëm si; Komisioni Evropian nëpërmjet IPA, UNFPA, UNDP dhe Statistikat Suedeze etj.
 
Buxheti total është parashikuar në vlerën prej afro 15 milion Euro, ku Qeveria Shqiptare mbulon rreth 5 milion, IPA 8 milion, UNFPA 1 milion Euro si dhe financime të tjera të UNDP dhe Statistikat Suedeze etj. Ky regjistrim nga pikëpamja teknike sjell si risi hedhjen e të dhënave nëpërmjet sistemit të skanimit, i cili konsiderohet si një nga teknikat me moderne per regjistrimet e të dhënave.
 
 14/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›