Zhvillohet mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, me pjesëmarrjen e Zv/Presidentit të BB-së Philippe Le Houérou
- Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ka një bashkëpunim të shkëlqyer 20 vjeçar me Bankën Botërore
- Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare mbetet jashtëzakonisht e interesuar dhe vlerësuese për bashkëpunimin me Bankën Botërore.
- Zv/Presidenti i BB-së Philippe Le Houérou u shpreh se për Bankën Botërore, Shqipëria është historia jonë e suksesit
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, ku merrte pjesë edhe Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, zoti Philippe Le Houérou, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe ka me BB.
Kryeministri theksoi se vizita e ZV/presidentit të Bankës Botërore, z. Philippe Le Houérou është një ngjarje e madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BB-së. Në këtë kontekst, Kryeministri i shprehu mirënjohjen më të thellë Zv/presidentit për partneritetin e shkëlqyer dhe ndihmën eficente që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. Kryeministri u shpreh se në sajë ndihmës financiare në qindra projekte të zbatuara, Banka Botërore bëri të mundur që Shqipëria të transformohej nga një prej vendeve më të varfra, me sistemin totalitar më të egër, në vendin me ekonomi të zhvilluar tregu dhe me institucione të një demokracie funksionuese.
Duke shprehur vlerësimin më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri, Kryeministri Berisha u ndal në veçanti në të gjitha fushat, ku Banka Botërore ka kontribuar me ndihmën e saj.
Përsa i përket projekteve në fushën e transportit, Kryeministri vuri në dukje se Banka Botërore ka dhënë një kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat segmenti Milot-Rrëshen i autostradës Durrës-Prishtinë, si dhe projekti i rrugëve dytësore, projekt që po transformon, me zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë e më shumë jetën e zonave rurale të Shqipërisë.
Duke u ndalur në fushën e bujqësisë, Kryeministri bëri me dije se projekti i qeverisë shqiptare për mbjelljen e 20 milion rrënjëve ullinj në 4 vjet zgjoi interesin e Zv/ presidentit të Bankës Botërore, për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të veçanta të këtij projekti.
Si një çështje shumë të rëndësishme, Kryeministri veçoi reformën në shëndetësi. Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se Zv/presidenti i BB-së garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë do të jetë e pakursyer dhe se e konsideron reformën, si kusht të të gjitha kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Duke cilësuar arsimin si përparësinë më madhore të qeverisë shqiptare, Kryeministri vlerësoi se ndihma e Bankës Botërore në këtë drejtim është shumë e dobishme.
Për sa i përket projekteve për zhvillimin e zonës bregdetare, Kryeministri tha se janë qartësuar të gjitha problemet në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt, për të cilin qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Në këtë drejtim, u shpreh Kryeministri, Zv/presidenti Philippe Le Houérou siguroi qeverinë shqiptare se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare.
Duke marrë fjalën, Zv/presidenti i BB-së Philippe Le Houérou u shpreh se për Bankën Botërore, Shqipëria është histori suksesi, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit. Këto arritje të rëndësishme, theksoi ai, janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjes së institucioneve të tregut në Shqipëri, fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist.
Zv/presidenti i BB-së u shpreh se tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve.
“Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar. Jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE”, nënvizoi Zv/presidenti i BB-së.
Duke u ndalur në zhvillimet e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare, Zv/presidenti i BB-së sqaroi se Bankës Botërore i vjen keq që, në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt. “Unë dua të jem shumë i qartë. Procesi i panelit të inspektimit nuk heton në asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që Banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu apo në ndonjë vend tjetër”, tha z. Philippe Le Houérou.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar Zoti Zv/president i Bankës Botërore, zotërinj ministra, anëtarë të Komitet të Planifikimit Strategjik. Kjo mbledhje është një mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe ka me Bankën Botërore. Sikundër dua të theksoj se vizita e Zv/presidentit të BB-së është një ngjarje e madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bankës Botërore. Së pari, unë dua t'i shpreh mirënjohjen time më të thellë Zv/presidentit, për partneritetin e shkëlqyer dhe ndihmën eficente që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. Me ndihmën financiare që arrin rreth 1 miliard dollarë, Banka Botërore ka ndihmuar Shqipërinë në qindra projekte që bënë të mundur transformimin e këtij vendi nga 2 apo 3 vendet më të varfra të planetit, nga vendi i hiperkolektivizmit total dhe sistemit totalitar më të egër, në një vend me ekonomi tregu, në një vend me hapa të mëdha në procesin e integrimit europian, me institucione të një demokracie funksionuese dhe që është shkëputur nga grupi i vendeve të varfra dhe është vendosur në grupin e vendeve me te ardhura mesatare.
Me Zv/presidentin e BB-së ne bëmë një shqyrtim të bashkëpunimit të suksesshëm të viteve, në kuadrin e strategjisë së bashkëpunimit me vende të Bankës, si dhe përcaktuam fushat e përqendrimit në stadin e ardhshëm të bashkëpunimit midis BB-së dhe Shqipërisë, përcaktimi i një marrëveshje të re, të bazuar tërësisht në prioritet e mëdha të qeverisë dhe të zhvillimit të vendit.
Në takimin para kësaj mbledhje, unë shpreha vlerësimin më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri. Në veçanti për projektet në fushën e transportit, Banka Botërore ka dhënë një kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat unë do të përmendja segmentin Milot-Rrëshen të autostradës Durrës-Prishtinë, por do të theksoja këtu edhe projektin e rrugëve dytësore, projekt që po transformon, me zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë e më shumë jetën e zonave rurale të Shqipërisë. Kërkova nga Zv/presidenti të shqyrtojë mundësinë që në këtë portofol të përfshijë edhe ndihmën dhe financimin për furnizimin me ujë, që të shkojnë paralel njëra me tjetrën. Ky është një program i suksesshëm.
Banka Botërore prej shumë vitesh ka dhënë një kontribut thelbësor në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Ramë dakord me Zv/predisdentin që bujqësia të mbetet një përparësi madhore, së pari në fushën e vaditjes. Qeveria ime ka një ambicie të madhe që të transformojë vaditjen në Shqipëri dhe të shtrijë sipërfaqen e tokës nën ujë nga 180 deri në 200 mijë hektarë, sikundër të adaptojë metodat më moderne të vaditjes, si një vendim që të mund të ndryshojë psikologjinë lokale dhe qëndrimin në tërësi ndaj ujit në fushën e bujqësisë. Në bujqësi unë informova Zv/predisdentin se një projekt tjetër madhor është duke u zhvilluar dhe ky është projekti i mbjelljes të 20 milion rrënjëve ullinj, në 4 vite. Rëndësia e këtij projekti është multidimensionale dhe kam kënaqësinë t'ju informoj se ky projekt zgjoi interesin e Zv/predisdentin të Bankës Botërore, për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të veçanta të këtij projekti.
Por dua të theksoj se e lidhur shumë me mbështetjen në fushën e bujqësisë është edhe ndihma që unë kërkova nga Banka Botërore për luftën kundër varfërisë në zonat dhe hartën ku ajo shtrihet. Shqipëria ka një sipërfaqe të gjerë të varfër dhe në kërkesat që unë parashtrova dy ishin prioritet: të na ndihmojnë, në mënyrë që të mos ketë asnjë qytetar shqiptar në varfëri ekstreme dhe e dyta është se Banka Botërore po jep një kontribut të pamohueshëm me projektin e rrugëve dytësore dhe projekte të tjera që po financon, por e konsideroj shumë të domosdoshëm ndihmën për një sistem mikrokrediti. Qeveria ka qenë dhe është në kontakt me nobelistin e mikrokreditit, prof. Yusuf. Ekipi i tij i Bankës Grameen bëri një vizitë në dhjetor. Gjatë janarit do të organizojë një workshop. Zv/presidenti e priti me shumë interes këtë zhvillim dhe më garantoi se Banka Botërore mbetet shumë e vendosur në luftën kundër varfërisë në Shqipëri dhe kudo në botë dhe do të na mbështesë në këtë përpjekje.
Një çështje shumë e rëndësishme tjetër është reforma në shëndetësi. Ne kemi rritur ndjeshëm buxhetin në fushën e shëndetësisë dhe e rrisim atë progresivisht. Por ne nuk kemi rezultatet e pritshme në këtë fushë, sepse kjo fushë ka nevojë për një reformë të thellë. Hapa të rëndësishme janë hedhur gjatë këtij viti. Ne jemi të vendosur si qeveri të thellojmë reformën e sistemit shëndetësor, si kusht themelor për të gjithë zhvillimin dhe konsolidimin e tij të mëtejshëm dhe për t'ju garantuar qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që meritojnë. Zv/presidenti i BB-së më garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë me reformën do të jetë e pakursyer dhe se Banka Botërore e konsideron reformën si kusht të të gjitha kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Arsimi është një fushë tjetër në të cilin ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Bankën Botërore. Qeveria pothuajse ka dyfishuar buxhetin për arsimin në 4 vite, po shkon drejt trefishimit të numrit të studentëve, në 4 vite. Reforma të thella janë bërë në këtë sistem. Unë dua t'ju siguroj juve, zoti Zv/ president se arsimi përbën përparësinë më madhore të qeverisë sime. Në Shqipëri, sot çdo shkollë, në çdo skaj të vendit ka kabinet të informatikës dhe internetit. Ne jemi në disa reforma dhe përpjekje të mëdha për të sjelle vendin në moshë dixhitale dhe për këtë arsye, ne e filluam nga shkollat këtë reformë. Në këtë kuadër, ndihma juaj është shumë e dobishme. Ne kemi një projekt me rreth 70 milion dollarë të shanseve të barabarta dhe ky projekt është shumë i dobishëm për ne.
Me zotin Zv/president ne diskutuam gjerësisht për energjetikën. Banka Botërore angazhohet të na ndihmojë, sikundër deri më sot, me një projekt të rëndësishëm për sigurinë e digave dhe në përpjekjen tonë për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël të prodhimit të energjisë së pastër, në rajon. Në këtë kontekst, AEVSI është shumë e mirëpritur të financojë sektorin privat, në mënyrë që të vazhdojë ndërtimi i dhjetëra apo qindra HEC-ve, në të katër anët e vendit.
Menaxhimi i tokës ishte një fushë tjetër e një rëndësie themelore, në të cilën ne u ndalëm. Banka Botërore ka përqendruar fondet dhe resurset njerëzore për të kompletuar këtë reformë, të cilën unë do ta konsideroja fondamentale.
Natyrisht një diskutim të veçantë bëmë për reformën sociale. Kjo reformë është jetike për konsolidimin e tisutit social të qeverisë shqiptare. Ambiciet e qeverisë sime janë që të mund të organizojë një ndihmë ekonomike eficente për ata që janë në nevojë dhe të luftojë me agresivitet varfërinë, të përjashtojë varfërinë ekstreme nga ky vend. Në të gjithë këto fusha, ndihma e Bankës Botërore është e garantuar dhe jashtëzakonisht e mirëpritur.
Publiku shqiptar e di se ka patur një lloj kundërshtie, siç është e zakonshme midis partnerëve, për projektin e zhvillimit të zonës bregdetare. Të gjithë këto probleme janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt. Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Banka e ka shumë të qartë dhe Zv/Presidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare.
Zoti Zv/president edhe njëherë dua t'ju uroj mirëseardhjen dhe të garantoj se kjo vizitë hap një stad të ri bashkëpunimi të shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Bankës Botërore. Unë u impresionova nga konkordanca e pikëpamjeve tona në prioritetet për zhvillimin e vendit, por edhe për zhvillimet rajonale. Edhe nje herë zoti Zv/president ju falënderoj për këtë vizitë."
Më pas e mori fjalën Zv/presidenti i BB-së Philippe Le Houérou, i cili u shpreh:
"Shkëlqesia Juaj, zoti Kryeministër, zoti zv/kryeministër, të nderuar zotërinj ministra, të nderuar kolegë,
Ju falënderoj që më dhatë mundësinë që t’i drejtohem këtij komiteti dhe dëshiroj t’ju falënderoj për mikpritjen bujare që më ofruat, gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri.
Kam ardhur të shikoj se si kanë ecur punët që kemi zhvilluar bashkë gjatë këtyre viteve dhe t’ju dëgjoj, gjatë kohës që ne përgatisim strategjinë e ardhshme të bashkëpunimit me Shqipërinë.
Shqipëria duhet të ndihet krenare për trajektoren e zhvillimit të saj gjatë 19 viteve të fundit. Pas katër dekadash diktaturë dhe izolim, vendi ka lulëzuar, duke shënuar një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme, si dhe ka shënuar përmirësime të mëdha në fushën e mirëqenies sociale. Që nga viti 1991, të ardhurat reale janë trefishuar, ndërsa varfëria është përgjysmuar gjatë 6 viteve të shkuara. Këto arritje të rëndësishme janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjen e institucioneve të tregut në Shqipëri. Janë edhe fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist.
Vendi është përballur me një sërë krizash dhe i ka kapërcyer ato, kriza financiare, trazira civile, trazira nga moti i keq, madje u ka ofruar edhe ndihmë fqinjëve të vet dhe ka luajtur një rol stabilizues në rajon. Siç mund ta shohim edhe nga kriza e fundit botërore financiare, rritja e shqetësimeve për ndryshimet klimaterike dhe shpejtësia e fatkeqësive natyrore, do të ketë sfida të reja për t’u përballur dhe shumë gjëra për t’u përmirësuar.
Megjithatë, do të doja të përfitoja nga rasti për të përgëzuar çdo shqiptar e shqiptare për rrugën impresionuese të zhvillimit dhe hapat që kanë bërë. Ne si bankë Botërore, jemi krenar që kemi qenë bashkëshoqërues të Shqipërisë në këto arritje të rëndësishme. Ashtu siç e përmendi edhe Kryeministri, Banka Botërore ka financuar afërsisht 70 projekte në Shqipëri, që nga viti 1991, me një shumë totale me mbi 1 miliardë dollarë. Këto projekte variojnë nga rikonstruksione, rehabilitime, deri në zhvillimin institucional pothuajse në të gjitha fushat e ekonomisë e shoqërisë, duke përfshirë zhvillimin e sektorit financiar dhe atij privat, të arsimit dhe kujdesit shëndetësor, ujitjes, reformës administrative, energjisë, transportit, sektorit të pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit.
Për hir të së vërtetës, për Bankën Botërore, Shqipëria është historia jonë e suksesit, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, e njohur ndryshe si IDA. Dua t’ju rrëfej, sepse personalisht e kam përdorur këtë histori të jashtëzakonshme suksesi në punën time të mëparshme, kur drejtoja bisedimet me donatorët për të siguruar fonde për IDA-n, gjatë 6 viteve të fundit.
Tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. Ne mendojmë se ky është një tregues që marrëdhënia midis Bankës Botërore, popullit shqiptar dhe qeverive të ndryshme shqiptare, ka qenë përgjithësisht një partneritet shumë i suksesshëm. Megjithatë, ashtu siç ndodh me të gjitha marrëdhëniet, ka raste kur gjërat nuk shkojnë mirë. Në këtë pikë, do të doja të flisja pak për ndodhitë e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare. Bankës Botërore i vjen keq që, në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt. Unë dua të jem shumë i qartë. Procesi i panelit të inspektimit nuk heton në asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu, apo në ndonjë vend tjetër.
Megjithatë, sot do të doja të përqendrohesha tek e ardhmja, po iniciojmë përgatitjen e strategjisë së re të partneritetit me Shqipërinë për vitet 2010-2013 dhe presim të realizojmë një partneritet të fuqishëm dhe të frytshëm për vitet që vijnë, ndërsa Shqipëria përparon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian.
Ne kemi mbështetur shumë vende në rajon, ndërsa ato përshkonin rrugë të ngjashme dhe besojmë në këtë kontekst, se Shqipërisë mund t’i ofrojmë mundësi përfitimi nga këto përvoja, në veçanti, në ruajtjen e progresit të bërë deri tani dhe për përballimin e sfidave të reja. Përvoja historike e fqinjëve tuaj ka treguar se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi, nëse ai nuk është gjithëpërfshirës nga pikëpamja sociale, etnike dhe politike. Në këtë këndvështrim, Shqipëria dallohet si një vend që është menaxhuar jashtëzakonisht mirë në këtë drejtim, duke kontribuar kështu edhe në stabilitetin rajonal. Gjatë vizitës dje, në muzeun e Onufrit, pashë një ikonë të jashtëzakonshme, të mrekullueshme të Onufrit, ku tregohet se si besimet e ndryshme fetare kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni.
Kriza aktuale financiare dhe ekonomike na ka treguar se sa i brishtë mund të jetë progresi, pa pasur mbështetjen e një supervizioni të mirë bankar dhe një politike të shëndoshë fiskale. Sigurisht që aftësia e Shqipërisë në menaxhimin e krizës deri tani, është dëshmi e mësimeve që ajo ka nxjerrë vet nga e kaluara e saj.
Megjithatë, në kushtet kur ndikimi i krizës vazhdon të rritet, ne do t’ju inkurajonim që të mbaheni fort në traditën tuaj të një politike fiskale të shëndoshë, të duruar dhe të kujdesshme, që e ka ndihmuar këtë ekonomi në të kaluarën, që mbetet fleksibël dhe që rritet fuqishëm prej 19 vjetësh.
Në përfundim, mësimet e nxjerra nga debatet për ndryshimet klimatike, na tregojnë se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi ynë, nëse ne nuk kujdesemi për planetin tonë. Madje edhe ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se sa të brishtë jemi ne ndaj ndryshimeve klimatike.
Më lejoni që me këtë rast t’ju shpreh solidaritetin familjeve që janë prekur nga përmbytjet e mëdha në rajonin e Shkodrës dhe t’ju ofroj mbështetjen tonë, të gjithë atyre që po përpiqen, duke u zhvendosur me familjet e gjënë e gjallë. Banka Botërore, ndërkaq, është duke e mbështetur qeverinë shqiptare, përmes një paneli ndërkombëtar ekspertësh, të cilët po ndihmojnë KESH-in dhe institucionet e tjera analoge që të monitorojnë funksionimin e digave. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në rehabilitimin e rindërtimin e zonave të dëmtuara në Shkodër, nga ngjarja e të cilës janë prekur jetët e kaq shumë njerëzve.
Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar, në këtë rrugëtim të mrekullueshëm drejt prosperitetit. Më lejoni që të theksoj edhe njëherë se jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE.
Duke e mbyllur, më lejoni edhe njëherë t’ju falënderoj sërish, shkëlqesi zoti kryeministër, kolegët tuaj në qeveri, për mikpritjen e shkëlqyer e komentet e dobishme, gjatë vizitës sime të shkurtër. Unë pres të vazhdoj bisedimet me kabinetin tuaj, mepërfaqësues të Shoqërisë Civile dhe sektorët e biznesit. Ju faleminderit."
Në përfundim, kryeministri Berisha shtoi:
"Edhe njëherë, ju falënderoj shumë zoti Zv/president për këtë vizitë kaq të rëndësishme, veçanërisht për ndihmën e fuqishme që Banka Botërore i ka dhënë vendit tim dhe për vizionin e ri të bashkëpunimit me Shqipërinë. Unë dua t’ju garantoj se mbetemi jashtëzakonisht të interesuar dhe vlerësues për këtë bashkëpunim. Dua të shfrytëzoj këtë rast, t’ju bëj një thirrje komunitetit të donatorëve që të rrisin bujarin e tyre dhe kontributet në BB, si një nga rrugët e përballimit me sukses të pasojave të “cunamit” financiar dhe ekonomik që kaloi ekonomia botërore, i cili, natyrisht, bëhet më i dëmshëm tek ekonomitë e brishta dhe vende, të cilat kanë nevoja jetike, jo për të ecur, por për të vrapuar."
14/01/2010