Mblidhet sot KQZ-ja e re, pritet të zgjidhet nënkryetari

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mblidhet sot për herë të parë pasi anëtaret e këtij institucioni bënë betimin në Parlament.
Në mbledhjen e parë e cila do të nisë në orën 11:00 do të zgjidhet nënkryetari i KQZ si dhe do të shqyrtohet dhënia e mandatit të deputetit socialist Auron Tare pas dorëheqjes së Antis Harasanit.
“Në rend dite do të jetë shqyrtimi i projekt-vendimit: “Për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” dhe shqyrtimi i projekt-vendimit: “Për dhënien e mandantit të deputetit kandidatit të radhës të listës shumemërore të PS në qarkun e Tiranës, për plotësim të vakancës së njoftuar nga Kuvendi” thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Trupa e Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve bëri betimin në Parlament 8 ditë më parë ndërsa sot ata do të fillojnë zyrtarisht detyrën në institucionin më të lartë të administrimit të zgjedhjeve.
Parlamenti votëbesoi me votat e palëve 6 anëtarët e Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve që vinin si propozime të partive politike parlamentare ndërsa për kryetaren e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve opozita nuk mori pjesë në votim.
Partia Demokratike rimandatoi në këtë post Hysen Osmanajn dhe Vera Shtjefnin, Partia Socialiste ndryshoi tërësisht përfaqësinë e saj duke mandatuar Albana Shtyllën dhe Denar Bibën. LSI-ja do të përfaqësohet nga Ilirjan Muhon ndërsa Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me Jani Janin.