“Mbreti” i kërcimit me shkop, Armand Duplantis

Sergei Bubka dhe rekordet e tij botërore në kërcimin me shkop, në pista të hapura e të mbyllura, tashmë nuk ekzistojnë më. Kërcim me shkop tanimë njeh një mbret të ri. Ai është suedezi Armand Duplantis, që rekordin botëror të kërcimit me shkop, që nga kjo e hënë e 7 marsit, e ka çuar në kufirin e 6.19 metrave. Dhe pikërisht në Beograd, atje ku më 18-20 mars do të zhvillohet dhe Kampionati Botëror i Atletikës në salla të mbyllura me idenë që Duplantis do të mund të japi një tjetër rekord.
Rekordi i fundit i Bubkës, gjithnjë në garën e kërcimit me shkop, ka jetuar për gati 20 vjet. Nga 31 korriku i 1994 në Sestriere me 6.14 metra në 15 shkurt të 2014 në Donetskt, aty ku francezi Reno Lavileni do ta thyente me dy centimetra. Tanimë në 6.16 metra. Plot gjashtë vjet qëndroi rekordi i francezit dhe më 8 shkurt 2020, në Torun të Polonisë, Duplantis do të vendoste rekordin e ri 6.17 metra.
E pas një jave, në Gllazgou të Skocisë, Duplantis do të vendoste rekordin e ri më 6.18 metra. Duket si një rekord që përmirësohet vit pas vit me suedezin që tashmë është në kufirin e 6.19 metrave. Duplantis është kampion olimpik në Tokio, kampion Europe në Berlin më 2018-ën dhe kampion Europe në salla të mbyllura në Torun më 2021. Që do të thotë se kërcimi me shkop, tanimë për momentin, është pronë e tij.