E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojta e trashëgimisë kulturore, Shkodër, për parandalimin e trafikimit të objekteve kulturore

Forcimi i bashkëpunimit për parandalimin e trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore” ishte në qendër të një takimi të zhvilluar në Shkodër, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, institucioneve ligj zbatuese, drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore, organizatave joqeveritare dhe aktorëve të tjerë vendorë.

Në këtë aktivitet, i organizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore pa kufi”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, u vu theksi tek domosdoshmëria e forcimit të kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në zbatimin e ligjit për të luftuar fenomenin që vijon prej më shumë se tre dekadash, duke varfëruar fondin e artefakteve të vendit.

“Raste ka patjetër, çështja është se ka disa mangësi në kodin penal si gërmimi i jashtëligjshëm nuk njihet si një shkelje penale sa do që është dhe është problem”, u shpreh Anisa Lloja, Koordinatore e projektit “Trashëgimia kulturore pa kufi”.

Rajoni i Shkodrës, për shkak të pozicionit të tij kufitar, është ndër më të prekurit nga rastet e vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore, si edhe nga gërmimet e paligjshme në sitet arkeologjike. Sipas DRTK deri më sot mungon një evidencë e plotë e objekteve të humbura, çka e vështirëson ndjekjen dhe rikuperimin e tyre.

“Kjo tryezë synon të përçoj nevojën për pasur një regjistër digjital dhe dokumentacion të saktë të pasurive kulturore materiale dhe jo materiale që mund të jenë bërë pjesë e trafikimit gjatë këtyre viteve”, u shpreh Helidon Sokoli, Drejtues i DRTK Shkodër.

Që nga fillimi i viteve ’90, në shkallë kombëtare janë regjistruar rreth 2200 raste vjedhjeje dhe trafikimi të objekteve të trashëgimisë kulturore, por shifra reale e rasteve të tilla mendohet të jetë shumë më e lartë.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›