E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbrojtja e blerësve online, gjoba për kompanitë abuzuese dhe kontrolle për cilësinë e çmimin

Trendi për të porositur online nga divani i shtëpisë, pa marrë parasysh cilësinë, por vetëm çmimet e ulëta, duket se ka shtuar rrezikun e rënies pre e abuzimeve nga produkte me përmbajtje të dëmshme.

Një projektligj i ri, i cili synon mbrojtjen e konsumatorit duke iu përafruar legjislacionit të BE-së, është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë.

“.…në lidhje me përmbajtjen që ka një produkt i caktuar apo informacione të tjera për cilësinë e produktit, dhe për një mbrojtje sa më të mirë të konsumatorit, sidomos sa i përket tregtisë online. Është një legjislacion që zbatohet për sigurinë e produkteve joushqimore nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ligji garanton mbrojtje nga informacioni i rremë për konsumatorët, nga çdo lloj mjeti apo mediumi komunikimi, që nga rrjetet sociale deri tek mediet, le të themi, të regjistruara, sikurse televizioni apo gazetat”, nënvizon Enkelejd Musabelliu, zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Për reklamimin e ofrimit të produkteve pa standard, masat ndëshkimore që parashikon ligji kapin shifra me gjashtë zero.

“Niveli i gjobave, për ata që janë përsëritës dhe e shtrijnë gjeografikisht veprimtarinë e tyre në shumë vende të BE-së, shkon edhe miliona euro”, thotë ai.

Asnjëherë mall pa faturë tatimore! Ky është element kyç që qytetarët duhet të kenë parasysh nëse bëjnë ankesë për abuzim.

“Sepse vetëm kështu mund të vërtetohet transaksioni dhe vetëm kështu konsumatori mund të ankohet pranë strukturave shtetërore për shitblerjen e caktuar dhe për cilësinë e mallit”, thekson zv.ministri Musabelliu.

Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit që do të ngrihet, do të ketë në fokus kontrolle për cilësinë, sasinë dhe çmimet e produkteve. Ky projektligj pritet të kalojë për miratim në Këshill të Ministrave.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›