Mbrojtja e interesave strategjike dhe sigurisë kombëtare të vendit, hyn në fuqi shtesa në ligjin “Për investimet e huaja”

Ka hyrë të premten në fuqi vendimi i Kuvendit, i cili javë më parë miratoi një ndryshim në ligjin “Për investimet e huaja”. Kjo shtesë në ligj ishte propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe synon të forcojë kontrollin mbi investimet e huaja që mund të kenë ndikim strategjik.
Ndryshimi kryesor konsiston në shtimin e paragrafit 2 në nenin 10 të ligjit ekzistues, me përmbajtjen e mëposhtme:
“Investimet e huaja direkte, që lidhen apo ndikojnë mbi infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacionin sensitiv ose mbi lirinë e medias, sipas përcaktimeve të rregullores (EU) 2019/452 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, i nënshtrohen një vlerësimi apo shqyrtimi sipas rregullave dhe procedurave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Kjo masë tregon një angazhim të Shqipërisë për të harmonizuar legjislacionin e saj me standardet e Bashkimit Evropian, në veçanti me Rregulloren (EU) 2019/452, e cila vendos një kornizë për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në BE.
Qëllimi është mbrojtja e interesave strategjike dhe sigurisë kombëtare, duke parandaluar rreziqet që mund të vijnë nga investimet në sektorë thelbësorë.
Miratimi i këtij ligji shënon një hap të rëndësishëm në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me legjislacionin e BE-së, duke treguar një qasje më të kujdesshme ndaj investimeve të huaja direkte që mund të kenë implikime për sigurinë kombëtare, ekonominë dhe funksionimin e lirë të shoqërisë.
/rtsh.al/