E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e tokave, kusht për zhvillimin e Bujqësisë

BARDHYL ALIKO

Në mbështetje të programeve madhështore të qeverisë për transformimin e bujqësisë, si një nga degët kryesore të ekonomisë sonë, mendova të jap një ndihmesë modeste në lidhje me një nga problemet më të rëndësishme, sikurse është mbrojtja e tokës nga degradimi.  Shkaqet janë të shumta, por do të përqendrohem kryesisht në pasojat që vijnë nga erozioni, i cili vihet në veprim kryesisht nga faktorët klimatike dhe nga veprimi ose mosveprimi i njeriut. Në këtë shkrim do të mbështetem në  përvojën time 40-vjeçare në studimet dhe projektimet e shumë veprave të bonifikimit, të ujitjes, të mbrojtjes nga lumenjtë dhe përrenjtë etj.
Në vendin tonë, bonifikimet filluan në vitet 1950. Në atë kohë, projektimet u kryen nga ekipe të huaja të ardhura kryesisht nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe sollën eksperiencën e vendit të tyre, që sikurse dihet, është një vend kryesisht fushor e me kushte totalisht të ndryshme nga klima mesdhetare jona dhe u përqendruan vetëm në zonat fushore të Shqipërisë së Mesme dhe aplikuan normativat kullim-ujitje, duke u mbështetur në eksperiencën e vendeve të tyre.
Normativat që ata sollën, u miratuan nga qeveria e asaj kohe dhe u bënë të detyrueshme për projektimet e bonifikimeve e të ujitjes së zonave të tjera, pavarësisht kushteve të relievit tonë kodrinor-malor dhe të klimës krejtësisht të ndryshme dhe që në disa raste dalin jashtë skemave klasike të bonifikimeve, sikurse janë për shembull fusha e Zadrimës në Veri dhe fusha Dropull-Gjirokastër në Jug. Veç kësaj, edhe struktura e kulturave bujqësore ka ndryshuar dhe është në proces ndryshimi. Sot, bujqësia ka marrë një orientim tjetër. Kulturat bujqësore që po përhapen në të gjithë vendin, kërkojnë kushte të tjera dhe siguri më të madhe kundrejt faktorëve që ndikojnë (degradimi i tokave, përmbytjet, thatësira etj.).
Veprat e bonifikimit dhe ujitjes që janë ndërtuar gjatë regjimit të kaluar, kanë pësuar dëmtime të shumta dhe shumë prej tyre kanë dalë jashtë pune. Ndërmarrjet e ujërave nëpër rrethe që duhej ti mirëmbanin këto vepra, në të shumtën e tyre kanë qenë skeletike. Me ardhjen e demokracisë janë riorganizuar dhe po punohet vazhdimisht për rindërtimin e tyre.
Por në kushtet e reja që po kërkohen, për të kaluar në një bujqësi intensive dhe specifike, është e domosdoshme të rishikohen normat e ujitjes për të llogaritur nevojat për ujë në përputhje me strukturën e re të kulturave bujqësore. Me shumë rëndësi është reduktimi në maksimum i humbjeve në rrjetin ujitës, sidomos në kanalet kryesore, duke i veshur me beton. Në një masiv të vënë nën ujë me kanale të paveshura, humbjet shkojnë në mbi 30% dhe zbresin në 10% në kanalet e veshura me beton me cilësi të mirë.
Realizimi i këtyre kërkesave përben një punë të madhe dhe të organizuar mirë, ku të mobilizohen specialistët e bujqësisë dhe inxhinierë në të gjitha rrethet. Do duhet kohë për realizimin e saj, por duhet bërë.
Transformimi i bujqësisë në një boom ekonomik shumë të rëndësishëm, përveç masave të mësipërme, është e domosdoshme që tokat e vëna nën kulturë sipas planit madhështor që ka parashikuar qeveria për transformimin e saj, duhet forcuar edhe me masat mbrojtëse të tokës nga degradimi i saj nga faktorët e jashtëm. Këtu vlen te përmendet se edhe përmbytjet degradojnë tokën, në qoftë se nuk realizohet sistemimi i ngastrës, sidomos kur toka ka një pjerrësi, qoftë dhe të vogël, sepse sasia që nuk thithet nga toka dhe nga rrënjët e bimëve përfundon në kanalin kullues, duke marre me vete edhe fertilizantët se bashku me grimcat e dheut. Kjo ndodh edhe kur ujitja e ngastrës bëhet me përmbytje. Ky fenomen i jep përgjigje edhe mbushjes së kanaleve kulluese në fushë dhe nevojës për pastrime të herëpashershëm të tyre.
Mbrojtja e tokës ka qenë e nënvleftësuar në të kaluarën. Detyrat e projektimit për veprat e bonifikimit, që hartoheshin nga qeveritë e asaj kohe, parashikonin që shtrirja e tyre të kryhej deri në rrëzë të kodrave dhe maleve, duke ndërtuar vetëm një pritë relativisht të ulët në përrenjtë para daljes në fushë, ndërsa pjesa malore e tyre ishte parashikuar të trajtohej nga ndërmarrjet pyjore, te cilat në fakt dështuan në kryerjen e kësaj detyre, sepse ishin të varfra në fonde dhe mjete. Faktikisht, ato ndërmarrje u përqendruan në pyllëzime kryesisht në zonat kodrinore e malore të ulëta, ndërsa në vatrat e erozionit dhe në shpatet e zhveshura malore nuk është vënë dorë. Kështu që reshjet intensive vënë në lëvizje drejt ultësirave lëndët e ngurta, duke shkaktuar nganjëherë shumë dëme.
Lëvizja e lëndës së ngurtë në shpatet e maleve ndjek vijat dhe përroskat, të cilat dorë-dorë bashkohen në një shtrat kryesor, që përbën trungun e përroit (në analogji me degët e një peme) dhe këta më pas shkaktojnë lëndën e ngurtë në shtretërit e lumenjve, në kanalet e ujërave të larta, në kolektorët kryesorë dhe në fushat e bonifikuara, duke i mbathur dhe duke ulur kapacitetin e tyre përcjellës të prurjeve në kohë plotash dhe krijohen përmbytje. Ka një postulat qe thotë: një vepër bonifikimi nuk ka jetë te gjatë, në rast se nuk merren masat e duhura kundër erozionit dhe ndalimit të zbritjeve të zallit në ultësira.
Me përjashtim të rasteve të rralla, pasojat negative të erozionit nuk bien fort në sy dhe mbathja e shtretërve të lumenjve ndodh gradualisht, derisa pas disa vitesh të qeta, papritmas vjen e keqja (përmbytje, zhavorrizime, deformime shtrati etj.). Jemi një vend krahasimisht i vogël, por me një terren shume të thyer, në te cilin predominojnë zonat kodrinore e malore. Si rrjedhim, veprat e bonifikim-ujitjeve ndryshojnë nga njëra-tjetra ne varësi te morfologjisë dhe klimës, prandaj dhe rastet e dëmeve te shkaktuara nga erozioni janë të shumta. Përmbytjet e fundit në rajonin e Shkodrës dëshmojnë për rëndësinë e postulatit te mësipërm dhe për ilustrim po i referohem këtij rasti:
Lumin Buna e kam lundruar nga Shkodra deri në Obot me barkë, ku ngrita postin hidrometrik dhe organizova vrojtimin e niveleve (si punonjës i Institutit Hidrometeorologjik). Gjatë udhëtimit vajtje-ardhje bëra matje thellësie gjatë lumit dhe më rezultoi 2- 3 m në qershor 1952. Njëkohësisht, mata në disa profile gjerësinë e lumit, e cila rezultoi mesatarisht 200 m në të gjithë gjatësinë e tij deri në Obot, madje fotografova një anije rreth 50-tonëshe, e ngarkuar, e cila lundronte për ne Shkodër. Pas përmbytjeve te janarit të vitit 1963 në rajonin e Shkodrës dhe te Lezhës, më takoi të shkelja këto rajone si anëtar i komisionit qeveritar për vlerësimin e dëmeve dhe konstatova se bregu i majtë në drejtim të rrjedhës ishte në proces gërryerjeje dhe shtrati kish filluar të zgjerohej poshtë fshatit Darragjat. Ne këtë vend, aktualisht shtrati është zgjeruar 700-800 m dhe Buna mund të lundrohet vetëm me barkë. Shkaktar i këtij dëmi ekologjik janë prurjet e ngurta të sjella nga Drini para ndërtimit të HEC-it Vau i Dejës dhe të Kirit, i cili sjell nga pellgu i tij shumë zall; dëshmi për këtë është qyteti i Shkodrës, i cili është ndërtuar mbi konin e dejeksionit të këtij lumi. Shfrytëzimi hidroenergjetik i tij do të zgjidhte edhe problemin e prurjeve të ngurta.
Mbathjet me zall të shtretërve të lumenjve e përrenjve vërehen në të gjithë vendin, por ekziston një shkak në rajonet Shkodër dhe Lezhë, qe e bën problemin më të mprehtë. Në fushat e këtyre rajoneve, projektet e veprave të bonifikimit dhe të përmirësimit  janë hartuar dorë-dorë në kohë të ndryshme dhe nga specialistë të ndryshëm, pa një koncept unik për të gjithë masivin. Në masivin e fushës së Zadrimës, tipik është rasti i projektimit të hekurudhës Lezhë-Shkodër, e cila e përshkon fushën pa marrë parasysh pasojat që u krijuan në hidrografinë e Zadrimës; sidomos ekzistencën e mbi 20 përrenjve që derdhen në fushë nga vargmali në lindje të saj dhe u krijua një pështjellim me këta përrenj, te cilëve iu pre rruga për kolektorin e fushës dhe, si pasojë, hekurudha u vu ne rrezik. Për të larguar këtë të keqe, u ndërtua një kanal i ujerave të larta, që është një gafë inxhinierike, fakt të cilin e konstatova më 1995-n, kur u ngarkova të studioja dhe të projektoja përmirësimin ujor tërësor t

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›