Dështimi
YLBER LILI
Fërkimet politike, incidentet ndëretnike, mosdurimi ndaj njëri- tjetrit, ekskluziviteti etnocentrik i shtetit, anashkalimi në forma përçmuese i kapaciteteve të një etnie tjetër heqin çdo dilemë për funksionimin normal të shoqërive multietnike. Për ta ilustruar, marrim rastin e FYROM, që vazhdon të investojë në shtetin njëetnik, i cili është në shpërputhje me shoqërinë multietnike. Nga kjo pikëpamje, incidentet e fundit që i hasim kudo, por veçmas në rajonin e Strugës, nuk janë gjë tjetër veçse krizë e radhës e formacioneve multietnike.
Nuk dua të fokusohem aq shumë në incidentin e Labunishtit në Strugë, ngaqë në kuptimin politik është një shashkë e aktorëve qeverisës që mbartin në vete një kosto të madhe për shoqërinë dhe vetë shtetin. Kryeministri maqedonas pasi hodhi gurin, u turr të fshehë dorën diku gjetkë, bash në Turqi. Ndërkaq, Ahmeti nga zyra në Recicë pret habere se çfarë ndodh përtej oborrit të tij. Si njëri, ashtu edhe tjetri merren me disiplinimin e shqiptarëve, të cilët në të gjitha rastet janë viktima të nacionalizmit agresiv maqedonas. Sipas kësaj logjike, shqiptarët duhet të heshtin edhe kur fyhet identiteti i tyre kombëtar, edhe kur u mohohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, edhe kur simboli kombëtar përdhoset e denigrohet, edhe kur fyhen mbi baza nacionale dhe fetare, edhe kur presidenti maqedonas mban ison e korit të huliganëve në shkallët e stadiumit, të cilët kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët, edhe kur karvane të improvizuara drejtojnë topat e fyerjeve dhe denigrimeve mbi baza religjioze, edhe atëherë kur në librat shkollorë, shqiptarët i trajtojnë si shpellarë, kaçakë e hajdutë edhe Ska fund marrëzia kolektive e maqedonasve, të cilët dirigjohen nga politika nacionaliste me nuance të qarta agresiviteti.
Në këtë kuptim, nuk kemi pse mbetemi peng i pasojave duke fshehur shkaqet e vërteta të incidenteve dhe krizave që e shoqërojnë qysh prej fillimit FYROM. Sa herë që ky emërtim shfaqet në debate të ndryshme, nxirren konkluzione paraprake duke e identifikuar me konfliktet e përgjakshme në ish-Jugosllavi, ku shteti i arnuar etnikisht doli nga sqetulla e perandorisë së shkërmoqur jugosllave pa një gjemb në këmbë. Por, kjo është njëra anë e medaljes, sepse nga ana tjetër FYROM u formësua si shtet duke shkelmuar rregullat e lojës të një shoqërie pluraliste. Pra, ata nuk morën në konsideratë sistemin e ri të vlerave, nuk e drejtuan shtetin sipas parimeve demokratike dhe pluraliste, por investuan në ndërtimin e shtetit njëetnik duke mbetur fanatikë të ekskluzivitetit, për rrjedhojë duke injektuar jotolerancë ndaj tjetrit (shqiptarëve).
Përmes kësaj mendësie, FYROM humbi shansin historik për të qenë një shtet multietnik funksional. Pse? Për shkak se elitat maqedonase të indoktrinuara sipas logjikës nacionaliste serbe e orientuan ndërtimin e shtetit përmes një kodi identifikues etnocentrik, duke përjashtuar kapacitetet politike, kulturore, historike, ekonomike etj. të shqiptarëve. Nëse do të ndodhte e anasjella, ku shteti të ndërtohej sipas parimeve demokratike duke legalizuar diversitetin etnik, kulturor dhe religjioz, nëse kodi identifikues qysh në pikënisje do të ishte në funksion të respektimit të diversiteteve, ujërat do të rridhnin në drejtimin e duhur. Për ta aktualizuar, sot e gjithë kohën reliktet e mendësisë së aso kohe janë të kudondodhura, në institucione shtetërore dhe publike, në shkolla, spitale, stadium, rrugë, në ekonomi, kulturë etj.
Nga kjo pikëpamje, krizat në FYROM nuk mund të mbulohen me hartën e kozmopolitizmit, as me retorikën e drunjtë të politikanëve dhe as me tentativat e faktorit ndërkombëtar, për të cilët shpenzojnë energji pa karar duke e mbajtur me infuzion një pacient të sëmurë që në gjenezë. E vërteta është se FYROM është një shtet jo funksional, edhe për faktin se ka anashkaluar tri elemente kryesore: kohezionin e brendshëm etnik, religjioz dhe shoqëror. Suspendimi i këtyre elementeve dhe fokusi tek nacionalizmi agresiv, represiv, fyes, pse jo dhe racist kundrejt tjetrit, e bën të pamundur funksionimin normal të shtetit multietnik, për pasojë krijon hapësira për kriza të pariparueshme. Shtrohet pyetje se çfarë ndodh aktualisht në FYROM. Atje po rishfaqen në mënyrë alarmante kriza, të cilat na shpien në përfundime precize se ky shtet nuk mund të jetë funksional sipas kodit multietnik. Në këto kushte, varrmihësit e shtetit nuk janë shqiptarët dhe as të tjerët, por vetë maqedonasit të cilët tundin flamujt e ekskluzivitetit për shtetin dhe pushtetin. Pala maqedonase vazhdon të mbetet në istikamet e saj fatale, duke synuar të refuzojë kërkesat kolektive të shqiptarëve për një kontratë, e cila do të ishte në funksion të një bashkëjetese me të drejta të barabarta.
Ata vazhdojnë të mbeten ithtarë të mendësisë refraktare, mohuese dhe determinuese, duke thelluar antagonizmat ndëretnike. Në këtë këndvështrim, faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të ndërpresë kontratat vardinëse dhe inferiore me maqedonasit, për sa kohë që këta të fundit refuzojnë çdo kërkesë të etnitetit shqiptar për barazi, sikundër për sa kohë që pala maqedonase kërkon të ruajë ekskluzivitetin etnik përmes nacionalizmit agresiv ndaj shqiptarëve. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar nuk duhet të tolerojë pafundësisht ndërtimin e kohezionit mbi frymën e represionit ndaj tjetrit. Ngjarjet më të fundit në FYROM, sharjet, fyerjet mbi baza etnike dhe fetare plotësojnë mozaikun e krizave shumëdimensionale, që vështirë se mund të shërohen. Në këtë kuadër, ndërtimi dhe funksionimi i shoqërive multietnike vazhdon të mbetet debat i hapur. Rreth kësaj dileme kemi dy qëndrime, disa syresh mendojnë se shtetet multietnike janë të destinuara të dështojnë, ndërkaq disa të tjera mendojnë të kundërtën. Që të mos mbetemi në kuadër të perceptimeve dhe hipotezave lidhur me funksionimin apo dështimin e shoqërive multietnike, mjafton të risjellim në kujtesë deklaratën e paradokohshme të kancelares gjermane, znj. Merkel, e cila mes të tjerash është shprehur: Ideja e ndërtimit të një shoqërie multietnike dhe për të jetuar krah për krah… ka dështuar, ka dështuar krejtësisht