E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllet Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë, Jovan Divniç fituesi i etapës së pestë

Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë ka ulur siparin të premten në Fier. Kjo pas përfundimit të etapës së pestë, që ka patur për itinerar Vlorë – Fier në një gjatësi prej 117.3 kilometra dhe shpejtësi orare 42.535 kilometra në orë. Një finish i shpejtë në Fier, kjo dhe në prani të kryetarit të Bashkisë së qytetit myzeqar, Armando Subashi, që ka shënuar dhe rrëzim të çiklistit në metrat e fundit. Bëhet fjalë për çiklistin e Metalak të Serbisë, Marko Stankoviç, që për fat nuk ka patur pasoja në dëmtime në rrëzimin e tij.

E pas shumë shqyrtimesh dhe verifikimesh në kamera, në vendimin përfundimtar të gjyqtarisë me në krye ndërkombëtarin e UÇI-t, kroatin Mladen Durlen, vendi i parë ka shkuar për malazezin e Plveljas, Jovan Divniç, që e ka prerë vijën e finishit në kohën 2h46’10”. Etapa e pestë, tërësisht fushore, ndërsa nga Vlora është shkuar në Savër të Lushnjes për të përfunduar në Fier, ka patur dy finishe të ndërmjetme. Të dyja në Fier, atje ku të parin e ka marrë Nikolai Diankov i Hemus të Bullgarisë, kurse të dytin Ekzarkopulos i Alfa Tim të Greqisë.

Fanella e verdhë e Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë ka shkuar për Tom Xhokmas të Grut Amsterdam. Fanella jeshile e finisheve të ndërmjetme për Kallum Meklod të Shills Doltçini të Britanisë së Madhe. Fanella e kuqe e finisheve të malit shkoi për holandezin e Grut Amsterdam, Xhelle Bonstra. E në fund fanella e bardhë si i riu më i talentuar Gabriele De Fabritis i Shqipërisë.

Të gjitha trofetë janë shpërndarë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, dhe Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi. Në përfundim të etapës, Jovan Divniç do të tregonte emocionet e tij për Radio Televizionin Shqiptar.

 “Jam shumë i kënaqur nga puna e skuadrës në këtë etapë të fundit të Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë. Një fitore që ka ardhur në metrat e fundit, ndërsa ka shkuar gjithçka mirë për ekipin tonë. Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë ishte një gjë me vlerë për ne. Një vend shumë i bukur mes malesh dhe detit e që më pëlqeu shumë si aktivitet. Sa për rezultatet e skuadrës sonë, sigurisht që jemi të kënaqur. Mund të kishim bërë dhe më mirë, por mos harrojmë kishte kundërshtar shumë të fortë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›