Mbyllet fushata zgjedhore në Itali, të dielën votimet! Fuqizohet ekstremi i djathtë

Italia është në heshtje zgjedhore. Fushata zgjedhore është mbyllur duke i lënë vend votimeve të së dielës më 25 shtator. Qendra e majtë mbajti mitingun e fundit në Piazza del Populo të Romës, por ata po përballen me humbje, ndërsa fuqizohet ekstremi i djathtë.
Ekstremi i djathtë i Giorgia Melonit, Fratelli d’Italia, pritet të fitojnë garën dhe rivali Giuseppe Conte u tha mbështetësve se votimi ishte i një rëndësie historike.
Fundi i fushatës u dominua nga grindjet mbi Evropën dhe luftën e Rusisë, por votuesit janë më të shqetësuar për shpenzimet lidhur me energjinë. Faturat po rriten si për pronarët e shtëpive ashtu edhe për bizneset.
Qeveria në largim e Mario Draghi ka premtuar tashmë 66 miliardë euro për të ndihmuar italianët për krizën energjetike. Përgjigja e ofruar nga Giorgia Meloni është miliarda euro ulje taksash dhe një taksë e sheshtë për këdo që fiton më pak se 100,000 euro.
Në zgjedhjet e fundit ajo mori vetëm 4% të votave, por sondazhet e fundit i dhanë asaj rreth 25%.
Dy partitë e tjera që pritet të formojnë një qeveri me Giorgia Meloni janë Liga e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit dhe Silvio Berlusconi i qendrës së djathtë.
Matteo Salvini kaloi orët e fundit të fushatës së tij zgjedhore duke akuzuar Komisionin Evropian për ndërhyrje në garë.
Ai reagoi me zemërim pasi shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Evropa kishte “mjetet” për t’u përgjigjur nëse Italia merr një qëndrim nacionalist në të njëjtën mënyrë si Hungaria dhe Polonia.
/rtsh.al/