Mbyllet “mosbindja civile”, Noka: Kthim pas nuk ka! Blushi: S’merret peng një komb i tërë

Opozita ka mbyllur protestën që la të bllokuar për tri orë qarkullimin në gjashtë nga kryqëzimet kryesore të vendit.
Deputetët e opozitës dhe mbështetës të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë paralizuan akset rrugore për të mos lejuar qarkullimin e lirë të mjeteve. Synimi i protestës ishte të përsëritë edhe një herë thirrjen për qeveri teknike dhe për lirimin e dy liderëve të opozitës, që tani ndodhen të izoluar.
Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një prononcimi për median deklaroi se “sot e gjithë Shqipëria ishte në duart e opozitës”.
Sipas tij nuk ka më kthim pas dhe se aksioni opozitar dhe mosbindja civile do të vazhdojë.
“Një ditë e jashtëzakonshme. E gjithë Shqipëria sot ka qenë në pushtetin e opozitës. Falënderoj me mirënjohje të pafundme të gjithë të rinjtë dhe të rejat , qytetarët qe u përgjigjën ftesës në këtë hap të madh të mosbindjes civile. Falënderoj dhe qytetarët shqiptar që bënë gjithçka që të shmangnin përplasjen meprotestuesit në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës me heshtjen e tyre duke qëndruar në shtëpi. Sot ka qenë një ditë e zënë për narko-regjimin dhe bandat e pushtetit. Nga frika dhe tmerri i protestës ata kanë sjell narko-policinë në çdo kryqëzim me qëllim të intimidojnë opozitën. Mosbindja civile po jep rezultatet e veta. Qëndresa jonë do të vazhdojë. Mosbindja civile do ti jap zgjidhje Shqipërisë dhe qeveria teknike është e vetmja alternativë” tha Noka.
Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh i kënaqur nga pjesëmarrja në protestën e së martës.
Ai tha se lëvizja qytetare e arriti qëllimin e vet dhe paralajmëroi përshkallëzim të aksionit deri në “çmontimin e regjimit”.
“Nga ky vend krimi, ku vetëm një javë më parë u rrëmbye në mënyrë kriminale, terroriste, presidenti i Partisë së Lirisë, mijëra shqiptarë i dhanë një mesazh të qartë këtij narkoshteti që qëndron në këmbë falë një narkodrejtësie, se fundi i tij është shumë afër. Sot shqiptarët e ndershëm dhe patriotë, në pozitën e vërtetë, në ballë, treguan edhe një herë qartazi se ata janë zot të fateve të vendit, ata janë zot të së ardhmes së Shqipërisë dhe kjo përballje do të përshkallëzohet edhe më tej me çrrënjosjen dhe çmontimin e këtij regjimi kriminal, që sot ka ndaluar politikisht dy drejtuesit kryesorë të opozitës, por ta harrojë që mund të marrë peng një popull të tërë, një komb të tërë, që sot e dha qartë mesazhin e vet, se fundi dhe përballja me këtë regjim do të jetë pa mëshirë, dhëmb për dhëmb dhe do të garantojë e do të hapë një kapitull të ri për Shqipërinë,” deklaroi Blushi në mbyllje të protestës opozitare“.
/rtsh.al/