E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllet sot faza e parë e konkursit “Nikolla Zoraqi”, ku garon edhe shqiptari Armando Broshka

Nga 130 konkurrentët që garojnë në edicionin e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjentëve “Nikolla Zoraqi”, dy prej tyre janë shqiptarë. Armando Broshka, violinist i njohur, tregon ëndrrën e tij për dirigjimin dhe thekson se ky konkurs është një hap përpara drejt realizimit të saj. Përpara jurisë ai interpretoi  dy suita të mëdha të repertorit botëror për harqe,  Serenata për harqe nga Çajkovski dhe Suitën Holberg nga Grieg, të cilat konsiderohen ndër pjesët më të vështira për muzikantët.

“Ishte një kënaqësi që të merja pjesë dhe ishte një shans. I kam parë të gjithë konkurrentët të cilët ishin nga Australia, Europa, Azia dhe niveli ishte shumë i fortë”, u sphreh dirigjenti Armando Broshka.

Adrian Schur gjithashtu muzikant hungarez do të testojë aftësitë e tij në këtë kompeticion prestigjioz. Ai rrëfen se për konkursin ka mësuar nga rrjetet sociale dhe se është rikthyer në dirigjim pas një periudhe larg muzikës.

“Jam aktiv si muzikant dhe po kërkoj mundësi për të dirigjuar, pasi e kam nisur këtë rrugë pak me vonesë. Kam studiuar dirigjim në një konservator rus dhe kam pasur një karrierë në muzikë, por rreth moshës 36–37 vjeç u ndjeva sikur nuk më përkiste dhe u tërhoqa. Por në vitin 2023 vendosa të rikthehem në dirigjim dhe që atëherë po ndërtoj karrierën sërish, duke marrë pjesë në konkurse, duke krijuar lidhje profesionale dhe duke promovuar muzikën përmes një organizate të madhe muzikore”, u shpreh ai.

Sot mbyllet faza e parë e konkursit, ndërsa nesër do të shpallen 15 gjysmë finalistët që do të vazhdojnë garën, dhe të dielën pritet finalja e madhe, ku do të shpallet fituesi i edicionit të dytë të Konkursit “Nikolla Zoraqi”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›