E Hënë, 2 Nëntor 2026

QKLL dhe Autoriteti i Dosjeve, aktivitet kushtuar Martin Camajt

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit organizoi sot aktivitetitn “100 – vjetori i Martin Camaj në kujtesën kolektive”.

Në aktivitetin e zhvilluar në HangArt – Kinostudio ishin të pranishëm në panel: Enkeleida Kapia, Alda Bardhyli, Altin Hoxha dhe Selami Zalli, të cilët folën për dosjen e Camajt dhe përndjekjen nga regjimi diktatorial.

“Në letrat e tyre gjejmë të shpalosur një miqësi, e cila ishte e preokupuar me shumë tema, por një ndër dhimbjet e tyre madhore ishte mënyra se si sillej Tirana ndaj tyre. Kur flitet për Tiranën në to, bëhet fjalë, jo për “Tirana” si toponimi, por për Tiranën që është më shumë se një qytet, është një gjendje shpirtërore. Në to përvijohet një Tiranë, që nuk është as topografi, as pushtet, por kujtesa e shtypjes dhe një “Shqipni” që nuk është shtet, por hapësira ku fjala mund të jetë e lire”, u shpreh Enkeleida Kapia.

Martin Camaj është një prej shkrimtarëve të censuruar gjatë regjimit totalitar. Mospajtimi i bindjeve të tij politike me ideologjinë e regjimit totalitar të instaluar në Shqipëri, do ta shtrëngonin autorin postmodernist të letrave shqipe të shtegtonte larg atdheut. Fillimisht u përfshi në radhët e qëndrestarëve kundër partizanëve komunistë dhe për këtë arsye, qe i detyruar të jetonte në ilegalitet derisa mori arratinë drejt Jugosllavisë fqinje.

Nga viti 1961, punoi si pedagog i fushës së albanologjisë në universitetin e Mynihut. Ndërsa, atashuar pranë këtij institucioni, shërbeu përgjatë vjetëve 1971-1990 në krye të katedrës së disiplinës së albanologjisë.

Camaj ka lëvruar në poezi, në prozë dhe në punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare. Ndërroi jetë më 12 mars të vitit 1992, në Mynih.

View this post on Instagram

A post shared by QKLL🇦🇱 (@qendra_e_librit_)

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›