E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbyllja e TikTok, Bardhi: Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Ramës

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/  “Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës”, shkruan kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në rrjetet sociale, duke reaguar për vendimin e njoftuar dje nga Kryeministri Edi Rama për mbylljen e TikTok për të paktën një vit, si masë për rritjen e sigurisë.

Sipas Bardhit, “ajo (qeveria) i jep modelin fëmijëve se nëse vjedh bëhesh ministër; nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet; nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie; nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie; nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera.

A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO!”, thekson Bardhi.

“Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale!”, përfundon Bardhi.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›