Mbyllja e zyrave serbe në veri, SHBA: Veprime të njëanshme, rrezikohet e ardhmja e Kosovës

Ambasada amerikane në Prishtinë është shprehur e shqetësuar për mbylljen e papritur dhe të pakoordinuar të Qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës.
“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Prishtinës zyrtare që të mos i mbyllë zyrat dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun mes dy vendeve.
Autoritetet e Kosovës mbyllën të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb, për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia bëri me dije përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “cenim të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale./vizionplus.tv